Ilda Bejleri: “Shqipërisë iu deshën një gjysmë shekulli, Kosovës dy vjet” – reagojnë ndjekësit

Ilda Bejleri: “Shqipërisë iu deshën një gjysmë shekulli, Kosovës dy vjet” – reagojnë ndjekësit

Në lojën e zhvilluar dje, Kosova është eliminuar nga Maqedonia e Veriut, në ndeshjen gjysmëfinale për kualifikimet në Euro 2021, njofton Insajderi.

Megjithatë, ky është një sukses i madh për Kosovën, e cila është përfaqësuesja më e re në Evropë dhe menjëherë kishte mundësinë që të prekte garat prestigjioze evropiane.

Ndër shumë tifozë e fytyra publike të pranishëm në ndeshje ishte edhe gazetarja e sportit, Ilda Bejleri.

Pas mbarimit të lojës, ajo publikoi një fotografi në llogarinë e saj në Instagram, ku shkruante:

“Të gjithë ata që mendojnë se Kosova ka përfituar nga niveli tepër modest i kundërshtarëve në Divizionin e fundit gabohen rëndë”.

Si për të lartësuar lojën e djemve në fushë, ajo bëri një krahasim që shumë ndjekës të saj nuk e panë si të denjë.

“Mjafton të kujtohet fakti që përfaqësueses shqiptare i është dashur më shumë se gjysmë shekulli, me saktë plot 52 vjet nga debutimi zyrtar, për të siguruar pjesëmarrjen në fazën finale të një aktiviteti madhor, ndërsa ekipi kosovar e kishte një mundësi të tillë vetëm 2 vjet pas takimit të parë zyrtar!”

Shumë argumentuan që “Nations League” nuk ka ekzistuar për gjysmë shekulli, dhe se kombëtaret nuk duhen krahasuar. Tjerë argumentojnë se Kosova nuk ka hasur në grupe eliminatore si Shqipëria këto 52 vjet. Tjerë thonë se Kosova pati shansin të ishte pjesë e një formati madhor pikërisht prej “Nations League”.

Por, në një gjë të gjithë komentuesit u pajtuan, futbolli është një lojë e bukur dhe se duhet përkrahur të dy “kombëtaret e shqipeve”. /Insajderi.com