Bytyqi thotë se Radosavljeviq është përgjegjës për vrasjen e vëllezërve të tij

Bytyqi thotë se Radosavljeviq është përgjegjës për vrasjen e vëllezërve të tij

Ilir Bytyqi, vëllau i Yll, Mehmet dhe Agron Bytyqit të cilët u vranë nga forcat serbe në vitin 1999, ka thënë se Goran Radosavljeviq është përgjegjës për vrasjen e vëllezërve të tij.

Në një intervistë të Info Magazine, ka thënë se autorin e vrasjes së vëllezërve të tij e dinë edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mirëpo nuk e ka ndërmend që ta dorëzojë para autoriteteve të drejtësisë.

“Presidenti serb Aleksandar Vuçiq nuk e ka ndërmend ta dorëzojë Goran Radosavljeviq- Guri duke e ditur pozicionin e fuqishëm që e ka me subjektin e tij politik, pasardhës të Vojsllav Sheshelit, ka thënë Bytyqi.

Tutje ai ka shtuar se “Si do ta dërgojë Aleksandar Vuçiq Serbinë në të ardhmen europiane kur nuk mund t’i dorëzojë kriminelët e luftës si puna e Goran Radosavljeviq që e ka në krahun e tij?”.

Vëllezërit Ylli, Mehmet dhe Agron Bytyqi ishin qytetarë amerikanë të cilët erdhën në Kosovë më 1999 dhe u bashkuan me UÇK-në, duke luftuar kundër forcave serbe.

Pas përfundimit të luftës më 26 qershor 1999, ata u përpoqën t’i ndihmonin dy familje rome nga Prizreni për të arritur në Serbinë Qendrore. Ata u arrestuan në Serbi dhe u akuzuan për “hyrje të paligjshme në shtetin Jugosllav”, si dhe u dënuan të nesërmen me 15 ditë burg nga gjykata në Prokuplje.

Tri ditë para se të liroheshin, tre vëllezërit Bytyqi u dërguan në një objekt të policisë serbe në Petrovo Sello. Atje, ata u torturuan, u ekzekutuan dhe u hodhën në një varr masiv me shqiptarë të tjerë të Kosovës.

Trupat e tyre u zhvarrosën në korrik 2001. /Insajderi.com