INPO prezanton raportin e kënaqshmërisë së qytetarëve me shërbimet komunale në Prishtinë

INPO prezanton raportin e kënaqshmërisë së qytetarëve me shërbimet komunale në Prishtinë

Mbi 75 për qind të qytetarëve të Prishtinës, janë shprehur të kënaqur me punën e kryetarit Shpend Ahmeti, ndërsa 17.98% prej tyre janë të pakënaqur me atë se çka ka bërë Vetëvendosjes në kryeqytet, raporton Ekonomia Online.

Këto të dhëna janë prezantuar nga Organizata Jo qeveritare, Iniciativa për Progres (INPO), në raportin me titull “Indeksi i kënaqshmërisë së qytetarëve me shërbimet komunale në Prishtinë”.

Performanca e punës së drejtorive komunale është vlerësuar e kënaqshme nga 39.17% e qytetarëve, kurse 36.97% janë të pakënaqur me punën e tyre.

Qytetarët e kryeqytetit nuk u ka pëlqyer puna që ka bërë Kuvendi Komunal. 44.87% e të anketuarve, punë e përfaqësuesve të tyre në Kuvendin Komunal e kanë vlerësuar të pakënaqshme, kundrejt 36.97% të tyre që e kanë vlerësuar si të kënaqshme.

18.15% e qytetarëve nuk kanë ditur apo kanë refuzuar të përgjigjen rreth performancës së punës së Kuvendit Komunal.

Ndërsa, në listën e pa kënaqësive dominojnë mungesa e parkingjeve, pamundësia për të lëvizur lirshëm në trotuare, mirëmbajtja e rrugëve si dhe mungesa e aktiviteteve sportive e rinore.

81.51% të qytetarëve janë shprehur të pakënaqur me kapacitete e tanishme të parkingjeve publike, kurse vetëm 16.30% janë të kënaqur.

Albulena Nrecaj, drejtoreshë  e INPO-s, tha se indeksi është dizajnuar të bëjë vlerësimin e kënaqshmërisë me shërbimet komunale të ofruara  nga komuna. Ajo ka sqaruar se anketa me qytetarët ka të bëjë me grup moshat 18-36.

“Indeksi ka bërë matjen e 15 lloje të ndryshme të shërbimeve komunale, si dhe matjen e kënaqshmërsië së qytetarëve me pushtetin lokal, pra me punën e Kryetarit, Kuvendit Komunal dhe Drejtorive Komunale”, tha Nrecaj, raporton EO.

Ajo gjithashtu tha se INPO ka për qëllim të zgjerojë punën e këtij projekti edhe në komuna tjera.