
Raportet mes Edi Ramës, kryeministër i Shqipërisë dhe Ramush Haradinajt, shef në largim i qeverisë së Kosovës, ishin ftohur kohë më parë.
Çështja e kufijve dhe shkëmbimi i tyre dhe taksa ndaj mallrave serbe, u bë ‘mollë sherri’ mes tyre. Mospajtimet e thella u shndërruan në fjalosje e fyerje
Rama i mbante anën presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, ndërsa Haradinaj ngulte këmbë se ideja e territoreve ishte çështje e vdekur dhe hapja e një teme të tille, çonte në luftë.
Ramush Haradinaj dha dorëheqje gjatë ditës së sotme si shkak i ftesës së mori nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit.
E për këtë, reaguan shumë politikanë, zyrtarë të lartë shtetëror në mbarë trojet shqiptare. Edi Rama, si i pari Shqipërisë, nuk mori mundin të reagonte për këtë ngjarje. Ai në profilin e tij zyrtar në Facebook nuk shkroi asgjë ndërsa u mor me çështjet e Shqipërisë.
Rama kishte eskaluar debatin me Haradinajn. Ai përmes statuseve në Facebook, ironizonte me kryeministrin e Kosovës.
“Për sa i përket komplotit për të copëtuar Kosovën dhe krijuar në mënyrë të fshehtë një hartë të re të botës, më kujton atë shprehjen “sa pa dalë Facebook, budallain e njihte vetëm shtëpia e vet”.
Sot jetojmë në një botë që nga kjo pikëpamje është fatkeqe dhe porosia e një manuali të agjitacionit nazist që thoshte “nëse do që gënjeshtrën tënde ta besojnë, bëje të pabesueshme”, kishte shkruar Rama duke aluduar në Haradinajn..