Përhapja e pandemisë Covid-19 edhe në Kosovë, ka bërë që qytetarët të ndihen të rrezikuar nga prekja me koronavirus.
Por, për të parandaluar infektimin e mundshëm me këtë virus, i cili është shpallur pandemi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, infektologu kosovar Shemsedin Dreshaj, ka dhënë disa këshilla për qytetarët se si të mbrohen nga koronavirusi.
“Atë çfarë ne rekomandojmë që distanca ndërmjet personave të jetë mbi 2 metra, pasi kjo është një sëmundje që përhapet me spërklat e flugeut. Dy, është një rekomandim që sa më pak të dalin dhe të ekspozohen, pra sa më shumë të rrinë në shtëpi dhe njëkohësisht të përdorin sa më shumë lëngje, vitamina të ndryshme dhe njëkohësisht në sasi të konsiderueshme vitaminën C, ushqim të shëndetshëm dietal”, tha ai.
Madje, për infektologun Dreshaj, nuk duhet të ketë as përqafime e puthje.
“Ne kemi disa të dhëna preliminare lidhur me jetëgjatësinë e tij, lidhur me kushtet me kushtet me të cilat mbijeton jashtë por ajo çka është e besueshme dhe e rekomandueshme është që, jo grumbuj të mëdhenj të njerëzve, jo afërsi, jo përqafime, jo përdorime, jo puthje”, thekson Dreshaj.
Derisa, ka një rekomandim edhe për ata që duan të dalin në ambient të hapur, qoftë në bjeshkë apo diku tjetër.
“Pra, do të thotë rune veten në një ambient të shëndoshë, është pak e rëndësishëm a do të jetë ai ambienti i Bjeshkëve të Nemuna, ambienti i Gërmisë apo ambienti familjar….(9.01-9.12). Ky është apeli, ata të cilët dyshojnë ose e dijnë që e kanë të mos dalin dhe të mos iu bashkëngjiten të tjerëve për shkak se mund të jenë një vatër e re, një burim i ri infeksioni për të tjerët”, u shpreh ai.
Teksa jep rekomandime për qytetarët se si të ruhen nga ky virus, Dreshaj thotë se duhet të përgatiten edhe për situata tjera, të rritjes së numrit të të prekurve apo edhe vdekjeve, sepse edhe Kosova është pjesë e shteteve të botës me të cilat ndanë të mirat e të këqijat.
“Prej atyre të këqijave e kemi edhe këtë, e kemi Covid 19 me të cilin duhet të ballafaqohemi. Realisht mendoj që duke u nisur nga analizimi i krejt asaj çka është bërë deri me sot, gjasat reale janë që ne ta menaxhojmë në mënyrë efikase duke mos mohuar që numri i rasteve do të rritet e do të ketë edhe ndonjë vdekje. Uroj që të kalojmë me sa më pak raste, me sa më pak vdekje dhe të mos regjistrojmë ecurinë e rasteve të Italisë, Wuhanit, Iranit”, ka thënë Dreshaj.
Sipas rekomandimeve të OBSH-së qytetarët duhet të qëndrojnë që sa më shpesh t’i pastrojnë duart, të mos rrinë në ambiente ku ka shumë njerëz, të qëndrojnë në shtëpitë e tyre të vetizoluar e masa tjera parandaluese. /Insajderi.com