Infektologu Tolaj kundër Hotit: Jo mbyllje totale

Infektologu Tolaj kundër Hotit: Jo mbyllje totale

Inektologu i njohur kosovar, Ilir Tolaj në emisionin “Imazh” të RTK ka folur për mundësinë e mbylljes totale të vendit si pasojë e rritjes së numrit të të infektuarve me Coronavirus, njofton Insajderi.

Ai ka thënë se atë që e ka parashikuar kohë më para për valën e dytë, po ndodh tash.

“Sërish pas mbylljes do të kemi rritje të numrit të rasteve. Nuk është e papritur rritja e numrit të rasteve. Autoritetet është dashur ta shfrytëzojnë përiudhën e verës kur kishte më pak raste që t’i forcojnë kapacitetet mjekësore. Numri i mjekëve të rinj edhe pse i dëshiruar, nuk ndryshon shumë në kualitetin e shërbimeve, pasi që ata janë të papërvojë sidomos në rastet e rënda”, ka thënë Tolaj.

Sipas tij, është dashur të ketë më shumë shtretër dhe mos të ndizet tash sinjali i kuq.

Ai ka theksuar se deri më tash nuk është bërë asgjë sa i përket furnizimit me oksigjen dhe me ilaçe.

Lidhur me masat e paralajmëruar, Tolaj ka thënë se qëllimi i masave është zvogëlimi imediat i rasteve. “Kjo është edhe e mundur, por kur e ndaloni socializimin e njerëzve në ambiente publike, nga restorantët, njerëzit do ta zhvendosin atë në shtëpitë e tyre. Në vend që të rrijnë dy orë në restorant, atëherë ata do të rrijnë 3-4 orë në shtëpitë e tyre dhe kjo e shton rrezikun”.

Sipas infektologut Tolaj, numri i rasteve aktive në Kosovë është më i madh sesa e paraqet IKSHPK-ja.

“Me siguri i kemi rreth 15-20 mijë raste aktive në Kosovë. Duhet të ballafaqohemi me realitetit që pandemia nuk mund të ndalet, por duhet të kontrollohet. Numri prej 500-700 të infektuarve, nuk thotë asgjë. Masat e vlerësimit të situatës duhet të vlerësohet me parametra tjera, siç janë rastet e rënda”, ka theksuar ai./Insajderi.com