Infermieri në grevë tash e 7 ditë: Kolegët e tjerë janë të shantazhuar

Infermieri në grevë tash e 7 ditë: Kolegët e tjerë janë të shantazhuar

“Çështja pse infermierët e tjerë nuk më janë bashkëngjitur, unë mendoj se ka të bëjë me shantazh dhe nënshtrim përmes kontrollit financiar”.

Kështu thotë për Gazetën Online Insajderi, infermieri i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Enlirat Duraku, i cili tash e shtatë ditë ka hyrë në grevë urie për shkak të pakënaqësive, për çka ka kërkuar realizimin e rritjes së pagesës së ndërrimeve të natës nga 18 euro në 36, pagesën e punës gjatë vikendeve dhe pagesën e orëve shtesë sikurse mjekëve, si dhe pagesën e rrezikshmërisë në punë.

Duraku, i cili për momentin është i vetëm në këtë grevë të nisur para një jave, thotë se kolegët nuk po i bashkëngjiten, vetëm se frikësohen meqë mund të përfundojnë në ndonjë prej komisioneve diciplinore.

“Paramendojeni, ka infermier që i hiqet meditja vetëm se ka palë civile në korridore e që nuk është punë e infermierit fare ajo, po nëse do e ngriste zërin ose do bashkangjiten me mua në grevë, sigurisht që do përfundonte në ndonjë prej komisioneve diciplinore. Thënë këtë, unë mendoj që infermierët kanë frikë të bashkangjiten e jo pse nuk i’u konvenon rritja e pagesës së ndërrimeve të natës apo pagesa e punës gjatë vikendeve dhe pagesa e orëve shtesë”, ka thënë Duraku për redaksinë.

Infermieri, i cili pas shtatë ditësh mbajtje të grevës së urisë, po ndihet i plogësht dhe me dhimbje më të mëdha sesa në grevën e tij të parë të mbajtur në nëntor të vitit të kaluar, tregon disa përvoja të infermierëve brenda QKUK-së, punën e të cilëve e krahason me infermierët në kohën e regjimit të UDBA-s, “sistem” ky që atë nuk e ka frikësuar të shfaqë pakënaqësitë e tij me anë të grevës së urisë.

“90% të infermierëve kanë obligime ndaj bankave, ndër arsyet tjera, ndërsa i frikësohen largimit nga puna apo penalizimeve të ndryshme që potencialisht ka mundësi të ndikojë negativisht në të ardhmen e tyre dhe familjeve të tyre”, shprehet ai.

“Ka infermier që është penalizuar vetëm pse ka hasur drejtori i tij palë civile në klinikë, në rastin tjetër infermieri është detyruar që 12 orë të qëndrojë te hyrja e klinikës duke e luajtur rolin e sigurimit fizik, thënë shkurt infermieri këtu është fajtor kujdestar, ndërsa kërkohet deklaratë nga infermieri për çdo gjë me ose pa fajin e tij, si të ishim nën regjimin e UDB-së”, ka thënë ai, derisa u bëri thirrje kolegëve infermierë që t’i bashkëngjiten atij në mënyrë që kërkesat e tyre të realizohen përgjatë ditës.

Ai beson se nëse do të kishte përkrahje nga kolegët – duke vepruar njësojë të gjithë- brenda orëve do të gjendej baza ligjore ose do të krijohej një e tillë, apo siç thotë ai, “do ndryshohej ndonjë ligj aktual, ashtu siç me urgjencë në gjysmë të natës u provua të ndryshohej ligji për zgjedhjet”.

Derisa foli për ndryshime ligjesh, Duraku njoftoi se deri më tani askush nga institucionet e as nga politikanët nuk e kanë kontaktuar, gjë që sipas tij, tregon se nuk janë duke e marrë seriozisht grevën e tij.

“Mirëpo unë jam këtu për t’ua dëshmu të kundërtën, pasi që nuk do heq dorë nga e drejta ime për një trajtim adekuat dhe mirëqenie socio-ekonomike, madje edhe nëse kjo do rezultojë me pasoja fatale për mua”, është shprehur më tej Duraku.

Sekretari i sindikatës së infermierëve në grevën e tij të parë të mbajtur para disa muajsh, ishte mbështetur nga ministri i tanishëm i Shëndetësisë, Arben Vitia, mirëpo i njëjti pas ardhjes në krye të këtij dikasteri, nuk është i qasshëm as në thirrjet e tij për takim.

“Unë mendoj që ministri është i angazhuar tepër, ndërsa thirrjet që i’a kam bërë ose nuk i’a kanë përcjellë stafi i tij apo ndoshta gabohem dhe ai ka ndryshuar pas pozitës gjë që dyshoj, sepse gjatë grevës së parë më ka përkrahur dhe lavdëruar për konsistencën në qëndrimet dhe parimet e mia”, thotë Duraku.

Pasi zëri i tij nuk po dëgjohet në instancat e larta të shtetit, Duraku ka vendosur që nga sot të fillojë edhe me grevë të etjes.

Duke iu drejtuar krerëve institucionalë, ai thotë se “vlerësimi se sa mund të jetojë dikush pa ushqim dhe lëngje është shumë i vështirë. Është e rëndësishme të kuptohet se çdo organizëm është i ndryshëm, që përfshinë shumë faktorë dhe se të gjithë kanë përgjigje të ndryshme ndaj këtij regjimi. Marrja e lëngjeve ka efektin më të madh në mbijetesë. Trupat tanë kanë tendencë që të shfrytëzojnë rezervat e energjisënga deponitë e ushqimit në organizëm për 2 apo 3 javë, por mungesa e lëngjeve shkakton probleme me funksionimin e veshkave brenda pak ditësh. Kur dikush nuk merr lëngje, dhe nëse ai ose ajo është i shtrirë në shtrat dhe kështu ka nevojë për pak lëngje,  atëherë ky person mund të jetojë pak ditë ose për aq kohë sa dy javë”. /Insajderi.com