Insajderi shpall Halil Kastratin “Person i Vitit 2018”

Insajderi ka vendosur që humanistin Halil Kastrati ta shpall “Person i vitit 2018”. Arsyet se pse e meriton Halil Kastrati këtë epitet janë të shumta. Nuk ka një të dytë që e konkurron për punën e bërë në të mirë të shoqërisë, gjatë vitit 2018. Familjet në nevojë kanë vuajtur me vite mos përkrahjen nga bamirësit. Numri i shoqatave mashtruese që keqpërdorin paratë e bamirësve është i madh. Por, Halil Kastrati i ka bindur njerëzit e vullnetit të mirë që të ndihmojnë. Nuk ka keqpërdorur asnjë cent dhe gjërat kanë ndryshuar për mirë. Tash, është rritur numri i bamirësve dhe familjeve skamnore po iu bëhet zgjidhje. Halili është shndërruar në hero për ta. Ai është fytyra e shpresës për njerëzit në nevojë.

Insajderi shpall Halil Kastratin “Person i Vitit 2018”

Halil Kastratin e takuam të premten. E kishim lënë për të drekuar së bashku. E thirra për t’ia kumtuar dy lajme.

Ai erdhi bashkë me ekipin e tij, prej gati dhjetë vetash.  Telefoni i tij nuk ndalonte nga thirrjet. Nuk i mbyllte askujt telefonin. Sa herë që lajmërohej, zhvillohej një bisedë e zakonshme.  Ishte donator ai që e thërriste.

Gjatë kohës sa Halili fliste me njerëzit bamirës në telefon, Besarti, 22 vjeçar, që rrinte në krahun e djathtë të tij, mbante shënime. Shumat ishin herë të vogla e herë të madhe. Nuk i komentonin asnjëherë ato. Gëzimi i ekipit të Halilit ishte i njëjtë.

“Ka pasur raste kur bamirësit na kanë dhënë me mijëra euro vetëm brenda një ore. Na ndalin në rrugë dhe na nderojnë”, tregonte Halili, i cili ndërpritej nga të rinjtë e shoqatës “Jetimët e Ballkanit”, që ishin entuziast për të plotësuar rrëfimin e drejtorit të tyre.

Halili dhe grupi i tij nuk arritën të hanë drekë rahat. Ishin të zënë duke iu përgjigjur thirrjeve të bamirësve. Kisha bindjen se do të ankoheshin për këtë. Por, ishte e kundërta.

Halili tregonte se është hera e parë që drekojnë ulur për kohë të gjatë. Me ditë të tëra kishin drekuar në këmbë.

“Duhet të takojmë njerëzit që na thërrasin për të na ndihmuar”, tregonte Halili. Përkushtimi i tij ndaj kësaj pune i është vlerësuar.

Ai admirohet nga të gjithë.  Edhe gjatë drekës në Prishtinë, në restaurantin “Shpija e Vjetër”, shihej si një hero. Dreka ende nuk kishte përfunduar. Një përballje mes njerëzve kishte nisur. Kamarierët ishin nën presion nga kërkesat e myshterinjve për t’ia paguar drekën atij. Ju tregova që është mysafir i imi. Por, ishte një beteje e humbur. Pronarët e restuarantit nuk pranonin që dreka të paguhej.

Halili shkoi që t’i falënderohej. Ai nuk ishte i gëzuar për drekën, por për diçka tjetër që i kishte thënë pronari i “Shpija e Vjetër”.

“Me premtoj që do të na ndihmoj në blerjen e një banese për skamnor”,  më tregonte Halili, posa dolëm nga aty. Ai i gëzohej shumë besimit që kanë njerëzit në të dhe shoqatën që drejton. Tregonte se e kishte vuajtur imazhin e keq që e kanë shoqatat në Kosovë.

“Në fillim mendonin se jemi si shoqatat tjera që i vjedhim paratë. Por, tash na besojnë të gjithë. Nuk e kemi keqpërdorur asnjë cent”, tregonte drejtori i shoqatës “Jetimat e Ballkanit”. Unë i tregova që në mesin e tyre që i besojnë jemi edhe ne, ekipi i Insajderit.

I tregova se e vlerësojmë shumë punën e tij bamirëse dhe për këtë arsye kemi vendosur që ta shpallim “Personi i vitit 2018”. Po ashtu, i tregova se kemi vendosur që të japim një mijë euro donacion për të ndihmuar shoqatën. Ndonëse, është shumë e vogël, Halili më shumë u gëzua për donacionin se sa për çmimin personal. Na ftoi edhe ne ekipin e Insajderit prej katër vetave që të vizitojmë bashkë një familje të varfër. Që ta njoftojmë bashkë për befasinë që i kishte përgatitur shoqata “Jetimat e Ballkanit”. Befasia ishte kjo: Një banesë e re në Fushë Kosovë. Shkuam të dy ekipet. Edhe Insajderi, edhe shoqata “Jetimat e Ballkanit”.

Familja ishte në gjendje shumë të rëndë.

Një grua bashkë me fëmijët e saj, të dytë me sindrom down, ishin përzënë nga shtëpia e tyre. Prej burrit të saj. Fëmijët të moshës 16 dhe 17 vjeçare ishin ende të tronditur nga rrahjet prej babait të tyre, i cili ishte një alkoolist kronik.

Fëmijët e morën në ngrykë Halilin. Nuk e lëshonin. U gëzuan kur e panë atë. Për një periudhë kohore prej 1 orësh, të tretë u dërguan në banesën e tyre në Fushë Kosovë. Ishte rrugëtim emocionues.

Përbrenda një ore, lotët e vuajtjeve të tre njerëzve u shndërruan në lot gëzimi. Halili dhe ekipi i tij ndjeheshin të lumtur që arritën ta bënë këtë. Gjatë këtij viti, 2018, shoqata ka ndihmuar në ndërtimin e 120 shtëpive. Ky është një rekord. Asnjë shoqatë nuk ka arritur ta bëjë këtë, deri më tash

Tashmë, secili prej anëtarëve të ekipit kanë rritur ambiciet për të ndihmuar më shumë skamnorët. Halili zotohej se në vitin 2019 do të ndërtojnë 400 shtëpi për nevojtarët. Ishte thellë i bindur se bamirësit do ta përkrahin për të realizuar këtë premtim.. Duke parë besimin që kanë njerëzit në Halil Kastratin dhe djemtë e shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, realizimi i objektivit për ndërtimin e 400 shtëpive duke i realizueshëm.

Por, si arriti Halil Kastrati që ta fitoj besimin e njerëzve?

I shkolluar për teologji, 43 vjeçari Halil Kastrati, kishte themeluar shoqatën “Jetimat e Ballkanit”, në nëntor të vitit 2009. Ai ka studiuar edhe për psikologji. Është i lindur më 17 prill të vitit 1975. Është i martuar dhe ka tre fëmijë. Është vëllai i dëshmorit Besnik Kastratit, i rënë në fshatin Jeshkovë të Prizrenit, në betejën e Vrrinit.

Kastrati ka rrëfyer media për fëmijërinë e tij. Ka treguar se kishte pasur një fëmijëri të vështirë dhe se ishte rritur me rroba të harrnuara. Ka treguar shpesh për media se kishte qenë i varfër, ngjashëm me familjet që gëzohen tash prej punës së tij.

Për një jetë më të mirë, Halil Kastrati kishte shkuar për të punuar në mërgim.

Atje kishte pasur fillime të vështira.  Ishte ushqyer në kuzhinat popullore, të hapura për nevojtarët. E kishte mbajtur mend gjatë kohë dhe e kishte ideuar planin që ta hapte një të tillë në Kosovë.

Kjo ëndërr e tij ishte realizuar në vitin 2009. Tash, janë të hapura kuzhinat humanitare, të cilat operojnë në kuadër të shoqatës “Jetimat e Ballkanit”.

(Halil Kastrati së bashku me një pjesë të ekipit të tij)

Qindra jetimë e familje me kushte të rënda sociale ushqehen në to. Shoqata ndihmon jetimët edhe financiarisht. Për çdo muaj. Po ashtu, i dërgon gjëra ushqimore qindra familjeve me gjendje të rëndë sociale në tërë territorin e Kosovës.

Më 2015, gjashtë vjet pas themelimit të shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, nisi edhe ndërtimi i shtëpive për familjet skamnore. Atë vit, ishin ndërtuar 11 shtëpi për familjet nevojtare. Donacionet kishin ardhur nga njerëzit e vullnetit të mirë që jetojnë në Kosovë dhe në diasporë.

Ky numër është bërë më shumë se dhjetëfish më i madh më 2018. Vit pas viti është rritur besimi i njerëzve në këtë shoqatë. Duke parë që paratë e dhëna donacione nuk po keqpërdorën, atëherë është rritur numri i bamirësve. Është dhjetëfishuar në krahasim me 2015-ten. Në vitin 2018 janë ndërtuar 120 shtëpi e banesa anë mbanë trojeve shqiptare, nëpërmjet donacioneve të dhëna për shoqatën e drejtuar nga Halil Kastrati.

Raporti statistikor i suksesit për vitin 2018, i publikuar nga shoqata,  ishte ky:

  1. Mbi 600.000 kg ushqim për nevojtaret, për një vit,
  2. Mbi 100.000 shujta në kuzhinën tonë këtë vit,
  3. Mbi 100.000 euro të dhuruara për shumë të sëmurë,
  4. Mbi 120 shtëpi e banesa në trojet shqiptare
  5. Mbi 100 paga mujore për jetimë
  6. Mbi 50 bursa studentore këtë vit

(Halil Kastrati gjatë aktivitetit të tij humanitar)

Por, cili është motivi i Halilit për të thyer rekordin në vitin 2019? Ai thotë se nuk ka synime politike e as të emërimit në kreun e Bashkësisë Islame të Kosovës, siç është spekuluar me muaj të tërë.

Ai e ka një motiv tjetër.

Themeluesi i kësaj shoqate, Halil Kastrati, ka treguar se ku e gjen motivimin për të mos u ndalur në këtë rrugë.

“Ta kthesh një lot vuajtje në lot gëzimi është diçka e papërshkrueshme. Ndoshta kjo është edhe arsyeja e motivimit tonë për të mos u ndaluar”, thotë Kastrati për Insajderin.

Ai tregon se nuk ka ambicie as të formimit të një partie të re, ndonëse numri i admiruesve që ka i garanton atij jetë të gjatë parlamentare. Duke qeshur thotë se shoqata që drejton është partia besimin më  të madh.

“Meqë ne po mundemi që me ndihmën e bamirësve të ndihmojmë njerëzit si shoqatë, atëherë le të vazhdojmë kështu. Pa u shndërruar në parti”, thotë Kastrati.

Borxhi që kemi ndaj Halilit

Halili është një njeri modest. Është punëtor i madh. Funksion si një makinë e pandalshme. Fascinon të tjerët me vullnetin e madh. Dikush tjetër do të kishte momente dobësie. Do të ndalonte, nëse jeta do tregohej e padrejtë siç është treguar me Halilin.

Edhe ai ka vuajtjet e tij. Ka djalin e sëmurë. I ka humbur shikimi. Vuan nga autizmi. Edhe bashkëshortja e Halil Kastratit është humaniste. Udhëheqë shoqatën që ndihmon fëmijët me autizëm.

Ai në një intervistë në televizionin RTV 21  ka rrëfyer për marrëveshjen që kishin bërë me bashkëshorten e tij, kur kishin nisur të merreshin me aktivitet humanitar.

“Kur e kam nis këtë punë jemi marrë vesh me bashkëshorten time që është një punë shumë e lodhshme. Pra, nuk po i hyjmë për biznes. Por, po i hyjmë për shpirt tonin. Mbi të gjitha, po i hyjmë për djalin tonë. Edhe ajo e ka shoqatën për autizëm në Prizren”, kishte pohuar Kastrati.

Kishte vazhduar tutje, duke treguar se çfarë kërkon si shpërblim për punën e madhe humanitare që e bënë.

“Kur e kena nis këtë punë, i kam thënë Zotit: Nëse jam i sinqertë në punën qe e bëjë, atëherë shpërblemë te djali”, kishte rrëfyer Kastrati.

Derisa të gjithë nevojtarët e shohin Halilin si shpëtimtar, edhe ai dikur, verën e këtij viti, ka kërkuar ndihmën tonë. Nuk ka kërkuar para, por ka kërkuar nga ne që të lutemi për shëndetin e djalit të tij. Ai ka nevojë për lutjet tona.

Djali i Halilit mu kujtua edhe të premten. Mu kujtua kur fëmijët që i gëzuan banesës së re e shtrëngonin fortë nga gëzimi. Nuk ia lëshonin krahun. Halili emocionohej nga gëzimi i tyre. Derisa të tjerët i bënë të lumtur, edhe Halili ka nevojë për një moment gëzimi për shërimin e djalit të tij. Lutemi për shërimin e Uvejsit.