Inspektorati merr vendim për dy policët që u rrahën me njëri-tjetrin

Inspektorati merr vendim për dy policët që u rrahën me njëri-tjetrin

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) sot në orët e hershme të mëngjesit ka pranuar një informacion lidhur më përfshirjen e dy zyrtarëve policorë në një incident në mes njëri-tjetrit.

Inspektorati thotë se pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes në rrugën “Lole Ribara”në një lokal në Mitrovicën e Veriut ku kishte ndodhur edhe incidenti.

“Hetuesit kanë ndërmarrë disa veprime hetimore kurse rasti nga prokurori kujdestar është cilësuar si sulm ndaj personit zyrtar dhe lëndim i rëndë trupor. Në bazë të informacioneve të para, si pasojë e këtij incidenti njëri nga zyrtarët policorë ka pësuar lëndime të rënda trupore (frakturë në hundë) dhe është dërguar për trajtim mjekësor. Si pjesë e procedurave administrative, krahas hetimit penal që po zhvillohet, njëri nga zyrtarët policorë është suspenduar për 48 orë”, thuhet në një kumtesë për media të Inspektoratit.

Inspektorati thotë se hetuesit e tyre do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të këtij rasti dhe motivit të incidentit në konsultim me prokurorin kompetent.