Inspektorati Policor suspendon katër zyrtarë të lartë policorë

Inspektorati Policor suspendon katër zyrtarë të lartë policorë

Inspektorati i Policisë ka suspenduar katër zyrtarë të lartë policorë.

Gazeta Insajderi mëson se të suspenduarit ndërlidhen me vrasjen e pesëfishtë të ndodhur sot në Gjilan.

Lajmin për Insajderin e ka konfirmuar edhe Arbër Beka, zëdhënësi për media i Inspektoratit Policor.

“Bazuar në këto veprime hetimore dhe pas konsultave me Prokurorinë Themelore në Gjilan, Inspektorati Policor i Kosovës pas grumbullimit të informacioneve dhe hetimit paraprak në stacionin Policor Gjilan i ka rekomanduar sot Policisë së Kosovës suspendimin e katër punonjësve të PK-së lidhur me këtë rast”.

“Rekomandimi për suspendimin e këtyre zyrtarëve (komandantit të stacionit policor, zëvendës komandantit policor, shefit të operativës të stacionit policor dhe një zyrtari të stafit civil) është bërë në interes të hetimit dhe të njëjtit janë duke u hetuar nga IPK me dyshimin së të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Ky institucion ka nisur më herët hetimet urgjente ndaj zyrtarve policorë që lidhen me rastin e sotëm.

Të njëjtit zyrtarë policorë dyshohet se nuk kanë ndërmarrë masat konform ligjit që ka të bëjë me vazhdimin e kryerjes së punës zyrtare-policore.

Përkundër dyshimeve për problemet psikike që kishte policja Valdete Bllaca, ajo me armën zyrtare dyshohet se ka privuar nga jeta katër familjarët e saj dhe me pas veten.

Prokuroria Themelorë në Gjilan është duke shqyrtuar të gjitha informatat që kanë të bëjnë me posedimin e armës zyrtare, edhe pse informatat e siguruara nga ky institucion tregojnë se arma i ishte ndaluar zyrtares policore qysh para disa muajve.

Por gjatë ditës në një konferencë të përbashkët të Policisë së Kosovës, Prokurorisë së Shtetit dhe Inspektoratit Policor të Kosovës është konfirmuar se vrasja e katërfishtë dhe vetëvrasja është kryer me armën e saj zyrtare të polices, shkruan Insajderi. 

Nuk dihet se si arma e njëjtë ka përfunduar sërish në doren e polices./Insajderi.com