INTERPOL, Haradinaj kërkon mobilizim për rrugën drejt anëtarësimit

INTERPOL, Haradinaj kërkon mobilizim për rrugën drejt anëtarësimit

Kosova edhe një herë ka aplikuar për t’u bërë pjesë e organizatës më të madhe të sigurisë, INTERPOL.

Vendi tashmë ka kaluar disa faza të rëndësishme të aplikimit, siç është hyrja në agjendë, shkruan Insajderi.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, me këtë rast ka kërkuar nga të gjitha që të mobilizohen për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë me rëndësi të jashtëzakonshme.

“Kërkoj nga të gjithë që të mobilizoni kapacitetet përkatëse për të shtuar përpjekjet për këtë anëtarësim”.

“Anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare është një obligim i Kushtetutës i yni. Për më shumë anëtarësimi në INTERPOL është një domosdoshmëri e cila do të na ndihmonte që të jemi pjesë e luftës kundër krimit në nivel rajonal dhe global”.

“Është evidente se do të kemi rezistencë, por Kosova rreshtohet me botën e lirë dhe demokratike, andaj ky proces është një vulë e këtij rreshtimi dhe një mesazh për të gjithë se jemi pjesë e një aleance të lirisë dhe prosperitetit”, ka shkruar Haradinaj në letrën drejtuar institucioneve përkatëse që merren me këtë proces, shkruan Insajderi.

Asambleja e 88 e Përgjithshme do të mbahet nga 15 deri në 18 tetor në Santiago të Kilit.

Kosova ka dështuar të pranohet në INTERPOL, në nëntor të vitit të kaluar, kur asambleja u mbajtë në Dubai.

Në raundin e dytë të votimit Kosova pati marrë vetëm 68 vota pro, 51 kundër si dhe 16 shtete kishin abstenuar.

Përndryshe, tentativat e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, datojnë që nga viti 2010, por atë kohë, Komiteti Ekzekutiv nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga Prishtina zyrtare.

Ndërkaq më 2015 dhe 2016, kishte aplikuar, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme. Dy vjet më parë,  më 2017, Kosova tërhoqi vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme.

insajderi.com