Lekaj: Do ta ndëshkojmë Bechtel-in, nëse nuk zbaton kontratën

Lekaj: Do ta ndëshkojmë Bechtel-in, nëse nuk zbaton kontratën

Në një intervistë me Insajderin ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka folur për autostradën “Arbën Xhaferri”, autostradën “Prishtinë-Gjilan” dhe për pagesën prej 53 milionë eurove për kompaninë Bechtel Enka.

Ministri Lekaj është shprehur se Ministria e Infrastrukturës do të aplikojë “penallti” ndaj kompanisë amerikane nëse punimet për autostradën “Arbën Xhaferri” nuk do të përfundojnë siç është paraparë në kontratë, deri më 31 dhjetor. Megjithatë, ka thënë se në këtë projekt po punohet me intensitet të lartë.

Ai ka folur edhe për zhvillimet e fundit politike në vend.

Intervista e plotë:

Insajderi: Z. Lekaj, keni pak më shumë se një vit në krye të Ministrisë së Infrastrukturës. Çfarë keni arritur të bëni gjatë kësaj periudhe?

Ministri: Sa i përket punimeve për një vit fiskal, mendoj se ne i kemi mbërri të gjitha synimet tona. Duke filluar nga procedurat e tenderimit të rrugëve, qofshin nacionale dhe qofshin regjionale. Mund të them se është hap një punishte që asnjëherë nuk ka ndodhur në Kosovë në qeveritë e mëparshme dhe kjo duke iu falënderuar të gjithë punonjësve të Ministrisë së Infrastrukturës. Ne nuk kemi humbur kohë duke u marrë me të kaluarën, por jemi të fokusuar që ne të përmbushim të gjitha premtimet që u kemi dhënë qytetarëve. Mendoj që ky vit fiskal ka qenë i suksesshëm dhe mendoj se i kemi kryer të gjitha kërkesat apo obligimet tona karshi qytetarëve. Për herë të parë në Kosovë kanë filluar gjashtë autostrada dhe janë duke vazhduar punimet; kanë mbetur edhe Kijevë-Zahaq, që mendoj se tani shumë shpejt do të shpallet tenderi publik për ndërtim dhe mendoj se për këtë vit i kemi kryer obligimet. Mendoj që rëndësi të veçantë i kemi dhënë edhe shërbimeve ajrore dhe aeroportit ndërkombëtar “Adem Jashari”, i cili do të ofrojë shërbime shumë më cilësore sepse me rregullimin e pistës do të rregullohet e tërë infrastruktura. Po ashtu, mund të them se kemi qenë pozitiv dhe jemi munduar që të jemi të saktë në deklarimet tona publike.

Insajderi: Po ndalemi pak tek autostrada “Arbën Xhaferri”. Si po shkojnë punimet në këtë autostradë dhe kur pritet të përfundojë projekti?

Ministri: Ne e kemi një aneks-kontratë që e kemi nënshkruar dhe është obligim i Bechtel Enka-s që t’i kryejë punimet fizike deri më 31 dhjetor të këtij viti. Varet prej kushteve atmosferike, por nëse koha vazhdon kështu siç është, unë jam optimist që do të kryhen punimet. Mirëpo varet prej kohës, nëse ka ngrica dhe nuk lejohen standardet që të shtrohet asfalti… prandaj si obligim kontraktual e ka deri më 31 dhjetor të vitit 2018.

Insajderi: A do ta padisni kompaninë Bechtel Enka nëse nuk i përfundon punimet në kohë?

Ministri: Nëse nuk kryhen obligimet në bazë të kontratës kemi të drejtë që si punëdhënës të kërkojmë buxhet, në atë kuptimin ta padisim kompaninë Bechtel Enka dhe të shkaktojmë penallti për shkak se të njëjtën e ka bërë Bechtel Enka tek ne.

Insajderi: A ka përfunduar ura 7-kilometërshe në autostradën “Arbën Xhaferri”?

Ministri: Është në përfundim e sipër. Ndodhë deri më 15 nëntor komplet do të përfundojë ura dhe mendoj se është bërë një urë me standarde të larta dhe është ura më e gjatë në rajon. Ka marrë kohë, por është duke u punuar me standardet më të mëdha që është punuar ndonjëherë në rajon. Ka garancion 100 vjeçar dhe ne po e kryejmë punën që duhet të kryhet. Përpos operatorit që e ka mbikëqyrjen, por edhe unë si ministër dhe kabineti im i kemi monitoruar me dhjetëra herë të gjitha punimet që po ndodhin.

Insajderi: Kur do të paguhen 53 milionë eurot për kompaninë Bechtel Enka?

Ministri: Ne kemi afat deri në qershor të vitit 2019. Meqë vendimi është i qeverisë ne jemi të obliguar ta zbatojmë, por ende nuk ka filluar pagesa e këtyre 53 milionëve. Në atë moment kur të kemi buxhet, ne do të fillojmë edhe shlyerjen e obligimeve ndaj Bechtel Enka-s.

Insajderi: A kanë filluar punimet në autostradën Prishtinë-Gjilan dhe në çfarë faze ka shkuar projekti. Me çfarë plani dinamik është duke u punuar aty?

Ministri: Sa i përket autostradës Prishtinë-Gjilan janë duke vazhduar punimet. Mendoj se jemi në kohë dhe mendoj se jemi në kohë mjaft optimale që të kryhet ky projekt edhe para 30 muajve siç është kontraktuar kompania. Projekti është duke shkuar me intensitet të lartë, është duke shkuar ashtu siç duhet. Nuk kemi ndonjë problem me shpronësimet dhe mendoj se ky projekt do të jetë i suksesshëm.

Insajderi: Sa keni ndihmuar në përfundimin e projekteve lokale dhe a keni ndonjë shifër të saktë të numrit të projekteve?

Ministri: Përpos rrugëve që i përmenda, ne nuk i kemi lënë anash edhe kërkesat e komunave dhe mund të them që për herë të parë komunat ndihmohen me shifër 42 milionë euro në rrugët lokale dhe mendoj se kjo ndihmesë ka ndikuar dukshëm në përmirësimin e infrastrukturës në komuna, sepse e thamë me plot të drejtë që nuk ka shtet të zhvilluar pa infrastrukturë të zhvilluar. Mendoj që kemi bërë mirë që po iu ndihmojmë të gjithë kryetarëve, pa dallime, sepse ka pasur fjalë që ne do të ndikojmë politikisht; aty ku janë kryetarët e Aleancës. Por, mund të pyesni lirisht që ne i kemi ndihmuar të gjitha komunat në mënyrë të barabartë.

Insjaderi: Si i keni siguruar të gjitha këto fonde buxhetore?

Ministri: Ne kemi projekte tri vjeçare, katër vjeçare dhe në bazë të qarkores buxhetore ne kemi vepruar dhe ne kemi mbështetje financiare për të gjitha këto projekte. Mendoj se ne kemi qenë të vëmendshëm që të mos i prishim politikat fiskale, apo të bëjmë disbalancë në mes të strukturave buxhetore dhe ta rrezikojmë qeverinë sa i përket investimeve në infrastrukturë. Unë mund të them se për tri vitet e ardhshme do t’i përfundojmë mbi 90 për qind të infrastrukturës; qofshin ato nacionale, regjionale apo lokale.

Insajderi: Çfarë mund të na thoni për magjistralen Prishtinë-Podujevë dhe për magjistralen Prishtinë-Mitrovicë. Deri ku kanë shkuar punimet?

Ministri: Unë mendoj se për magjistralen Prishtinë-Podujevë duhet ta kryejmë në afat, çfarë është në kontratë dhe nuk do të tolerojë. Mendoj se brenda dy viteve do të përfundoj projekti, dhe po ashtu edhe në magjistralen për Mitrovicë brenda 30 muajsh do të përfundojë projekti. Meqë janë fondet arabe, segmenti i parë i kësaj rruge veç është përfunduar; segmenti i dytë do të përzgjidhet brenda dhjetë ditësh operatori ekonomik dhe tash na mbetet vetëm segmenti i fundit dhe që të përfundojë kjo rrugë.

Insajderi: Z. Lekaj sa keni bërë për sigurinë në trafik?

Ministri: E përmende një element kyç të cilin ne nuk e kemi lënë anash. Që në ditët e para e kam thirru Komitetin për Siguri në Komunikacion dhe kemi pasur misione të caktuara sa i përket lajmërimit të qytetarëve, kërkesës dhe lutjes tonë… sidomos për vozitësit. Ne, këtë vit, edhe pse ka rënë numri i aksidenteve me fatalitet mendoj që jemi larg asaj që dëshirojmë. Por, mendojmë që në vitet që vijmë do t’i zvogëlojmë aksidentet dhe do të investojmë në infrastrukturë, sepse nuk kam qenë i kënaqur me sinjalistikë, me ndriçim, me ato ndërrimet që po bëhen me paralajmërim. Mendoj që dita-ditës po i rregullojmë këto standarde, me qëllim që të ndikojnë dukshëm në sigurinë e qytetarëve. Kur kam ardhur, tërë autostradat kanë qenë në terr, tërë rrugët. Nuk ka pasur operatorë për mirëmbajtje dhe për ndriçim, prandaj mendoj se deri në fund të vitit do të përmirësohet dukshëm gjendja sa i përket sinjalistikës, shenjave, pikave të rrezikshmërisë dhe mendoj se kjo do të ndikojë pozitivisht edhe tek vozitja e automjeteve. Por, mund të them që ne do të investojmë shumë në vitin 2019, që të kemi tepër më pak aksidente.

Insajderi: Ministër, a do të bëhet ritestimi i shoferëve siç edhe keni paralajmëruar dhe kur do të fillojë kjo fazë?

Ministri: E kam thënë që nuk do t’i nënshtrohen të gjithë vozitësit ritestimit, por vetëm ata që bëjnë kundërvajtje në rrugë dhe është praktikë e Evropës dhe nëse e mbërrijnë maksimumin e pikëve që shkakton dëme apo moskujdes në komunikacion – kundërvajtje – atëherë normalisht dikush duhet të merret me të. Ne kemi menduar që të hyjnë në ritestim dhe nëse është i aftë dhe tregon se është i aftë për t’iu dhënë leja, atëherë do t’ia japim prapë lejen. Prandaj këto janë praktika që i kanë të gjithë Evropa.

Insajderi: Kur do të fillojë ky projekt?

Ministri: Ne jemi në fazën e diskutimit, por sapo të prodhohet një dokument dhe të kemi fizibilitet dhe analizë të qartë që sa ndikojnë këta shofer që kanë kundërvajtje, pastaj do të marrë vendimin. Por nuk do të hezitojë që të marr vendim në të mirë të qytetarëve.

Insajderi: Ministër, a pritet të ketë edhe Kosova një avio-kompani të veten?

Ministri: Ne, sa i përket avio-kompanisë shtetërore, ne jemi larg për të pasur diçka të tillë sepse është e kushtueshme. Tepër është e kushtueshme. Por ne nuk kemi qëndruar duarkryq dhe ne kemi disegnu një kompani gjermane, e cila do të marrë përsipër që të ketë simbolet e Republikës së Kosovës dhe ka marrë përsipër edhe për punësim të kuadrit të ri, shkollimin e tyre, dhe ngadalë të përgatitemi që në të ardhmen të kemi edhe ne avio-kompani shtetërore.

Insajderi: Po dalim pak tek situata politike në vend. Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje po i bojkotojnë seancat e Kuvendit të Kosovës dhe nuk po e pranojnë rezolutën e shumicës për dialogun me Serbinë. Si e shihni ju këtë situatë dhe si e komentoni?

Ministri: Unë mendoj që opozita e ka rolin e monitoruesit të qeverisë dhe të pozitës dhe është e shëndetshme për demokracinë. Mirëpo bojkotet nuk njihen në vendet e tjera, përpos atëherë kur është në rrezik vendi. Kur them kështu, e kam fjalën kur qeveria mund të marrë vendim që të copëtojë vendin, apo ta shes vendin, mirëpo këtë bojkot ata po e bëjnë më shumë për konsum të brendshëm politik e jo për interesin nacional. Sepse nëse i kanë numrat, në atë moment që i kanë 61 deputetë ‘hajde ta rrëzojmë qeverinë’, sepse ne nuk e kemi në mend që të qajmë sikurse ka bërë qeveria e kaluar, qeveria Mustafa.

Insajderi: A është e gatshme Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të shkojë në zgjedhje të reja?

Ministri: Ne jemi çdo herë të gatshëm si subjekt politik dhe jemi serioz. Fare nuk e kemi këtë problem, mirëpo mund të them lirshëm që ky mandat do të shkojë deri në fund dhe ata le të bëjnë llafe sa të donë por nuk kanë numra për ta rrëzuar këtë qeveri. Hajde çfarë ndryshojë LDK-ja brenda vitit. Po e njëjta LDK për tri vite e ka qeverisur vendin: ma thuaj një vendim çfarë vendimi ka marrë? Ne si qeveri e kemi ndryshuar marrëveshjen që është nënshkruar në Vjenë dhe kemi marrë vendime. Kemi bërë 80 numra që kanë ndikuar për vendime të mëdha. Po ashtu kemi aplikuar në INTERPOL, që shpresoj shumë që do të pranohemi. Po ashtu është ushtria, e cila do të kaloj në Kuvend në lexim të parë. Është e pakuptimtë nga LDK-ja që të synojë tash rrëzimin e qeverisë. Unë mendoj se këto janë llafe dhe që asgjë nuk ka serioze sepse e dinë që nuk i kanë numrat për rrëzimin e kësaj qeverie.

Insajderi.com | Intervistë me ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj

Insajderi | Intervistë me ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj◾ Kur do të përfundojnë punimet në autostradën "Arbën Xhaferri"? ◾ Kur do të paguhen 53 milionë eurot për kompaninë Bechtel Enka? ◾Cila kategori e vozitësve do t'i nënshtrohet fazës së ritestimit të patentëve të shoferit?Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj përgjigjet në këto dhe të tjera pyetje. Për më shumë ndiqeni intërvisten #eksluzive dhënë për #Insajderi-in

Posted by Insajderi on Wednesday, 17 October 2018