IPK nis hetimet për pretendimet se zyrtarët e PSD-së janë rrahur nga policia

IPK nis hetimet për pretendimet se zyrtarët e PSD-së janë rrahur nga policia

Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur hetimet lidhur me aksionin e Partisë Socialdemokrate dhe arrestimin e disa zyrtarëve të saj, pasi këta të fundit po pretendojnë se në stacionin policor janë rrahur nga policët, njofton Insajderi.

Kështu kanë bërë të ditur nga IPK-ja në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi, ku thuhet se kanë filluar grumbullimin e informacioneve duke përfshirë dëgjimin e palëve si dhe kanë kontaktuar me prokurorin kompetent i cili ka qenë në vendin e ngjarjes.

“Inspektorati Policor i Kosovës është njoftuar për këtë rast nga Policia e Kosovës dhe hetuesit i janë përgjigjur rastit duke dalur në vendin ngjarjes në Prishtinë.

Hetuesit e IPK-së kanë filluar menjëherë grumbullimin e informacioneve duke përfshirë dëgjimin e palëve si dhe kanë kontaktuar me prokurorin kompetent i cili ka qenë  në vendin e ngjarjes”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Tutje, bëhet e ditur se veprimet tjera hetimore priten të ndërmerren në konsultim me prokurorinë kompetente në përputhje me misionin ligjor të IPK-së.

Aksioni i PSD-së me parullën “Për partitë tubime, për qytetarët dënime” që u zhvillua të martën para stacionit policor në Prishtinë, përfundoi me arrestimin e kryetarit të partisë, Dardan Molliqajt dhe shoqërimin në stacionin policor të 15 aktivistëve të tjerë.

Policia të mërkurën njoftoi se tre nga zyrtarët policorë ishin lënduar gjatë këtij aksioni, të cilët më pas kishin pranuar tretman mjekësor.

Ndërkohë, Frashër Krasniqi i PSD-së, pas lirimit ka publikuar identitetin e një zyrtari policor, që sipas tij e ka goditur në kokë Natyra Kuçin, edhe pse kjo e fundit ishte me duar të lidhura./Insajderi.com