IPKO me 70 milionë euro të hyra gjatë vitit 2016

IPKO me 70 milionë euro të hyra gjatë vitit 2016

Kompania e telekomunikacionit IPKO, ka prezantuar të mërkurën rezultatet financiare për vitin 2016, investimet dhe të hyrat që u arritën gjatë kësaj periudhe dhe pozitën e saj në treg.

Janë rreth 70 milionë euro të hyra dhe 11 deri në 15 milionë investime  vjetore që sipas drejtuesve të kësaj kompanie janë realizuar vitin kaluar.

Këto të gjetura, ku paraqesin suksesin dhe sfidat e IPKO-s u prezantuan nga drejtori i saj Robert Erzin dhe zëdhënësi Alban Kastrati.

Robert Erzin duke shpalosur këto rezultate kanë thënë se rreth 80 për qind e qytetarëve të Kosovës marrin shërbimet e telefonisë fikse, internetit dhe televizionit.

Ai shtoi se tregu i tyre po zhvillohet dhe se numri i përdoruesve po rritet, por tha se ka disa pengesa dhe sfida që po i përcjellin.

Drejtori i IPKO-s po ashtu bëri të ditur se sot janë 90 për qind e qytetarëve që shërbehen me rrjet 3G dhe 4G ndërkohë tregoi se viti 2016 u përmbyll me 650 mijë përdorues të telefonisë mobile në vend.

Erzin tha se kjo kompani i kushton shumë rëndësi afërsisë me konsumatorin, duke pasur kështu, qendrën më të madhe të thirrjeve për konsumatorë e cila, siç thotë ai, u përgjigjet rreth 1 milion pyetjeve të përdoruesve brenda një viti.

Duke e cilësuar si një përmbyllje të suksesshme vitin 2016, drejtori i IPKO-s Rober Erzin tha se janë 70 milionë euro të hyra që u realizuan për vitin e kaluar.

Ai, si problem shqetësues përmendi edhe operatorët ilegalë e që tha se janë 30 sosh në Kosovë.

Në IPKO kanë folur edhe për shndërrimin e kodit nga +386 në +383. Ata kanë thënë se po mundohen këtë proces ta përfundojnë sa më lehtë dhe shpejtë. Erzin tha se në tregun kosovar ka shumë pengesa që ia pamundësojnë kompanisë zhvillimin e duhur, duke thënë se çmimet për resurse të reja frekuencore janë tejet të larta, dhe përbëjnë rreth 12 për qind të të ardhurave të kompanisë.

Në këtë konferencë, po ashtu, u tha se tregu i telekomunikimeve në Kosovë është duke u bërë gjithnjë e më sfidues, pasi që të hyrat po bien, kryesisht për shkak të rënieve të shkaktuara në pjesën e roamingut dhe thirrjeve ndërkombëtare.