Isa Mustafa përfshihet në debatin Thaçi – Berisha, presidenti i përgjigjet

Isa Mustafa përfshihet në debatin Thaçi – Berisha, presidenti i përgjigjet

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi i është përgjigjur shkrimit të kreut të LDK-së, Isa Mustafa i cili kritikojë raportin mes Thaçit e Berishës duke e cilësuar të dëmshme dhe të pa nevojshme, shkruan Insajderi.

Thaçi ka falënderuar Mustafën për siç i quan ai këshillat e dhëna teksa ka thënë se asnjë e keqe nuk i vjen vendit nga debati dhe paraqitja e pikëpamjeve të ndryshme për realizimin e qëllimit të përbashkët.
“Unë dua që ju z.Mustafa, të jeni krah me mua”, ka thënë mes tjerash Thaçi.

“Ju z. Mustafa dhe shumë të tjerë mund të më këshilloni. Kjo më bën më të fortë në punën time drejt qëllimit final. Ndoshta ju mendoni se unë jam i vetëm sot në këtë mision, i cili për ju dhe disa të tjerë duket i pamundur. Por, mos të harrojmë se vetëm 20 vjet më parë edhe liria dhe pavarësia jonë janë dukur të pamundura. Në përpjekje për arritjen e këtij qëllimi, unë kërkoj miq dhe aleatë. Unë dua që ju z. Mustafa, të jeni në krah me mua”, ka shkruar Thaçi.

Sipas tij misioni për Bashkimin Kombëtar nuk është i pa mundur, madje thekson se ëndrra e çdo shqiptari duhet të bëhet realitet.

“Nuk është mision i pamundur, përkundrazi. Bashkimi kombëtar është në mendjen dhe shpirtin e çdo shqiptari. Le ta bëjmë realitet bashkë”, shkruan ai.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa i quajti të panevojshme sulmet ndërmjet Thaçit dhe ish-presidentit të Shqipërisë Sali Berisha, derisa kishte theksuar se nuk e sheh Thaçin si bashkëpunëtor të Serbisë./Insajderi.com