Ish-anëtarë të PDK-së dhe xhaxhai i Dhurata Hoxhës – kush janë drejtuesit e Universitetit të Mitrovicës?

Ish-anëtarë të PDK-së dhe xhaxhai i Dhurata Hoxhës – kush janë drejtuesit e Universitetit të Mitrovicës?
Burimi i fotografisë: Alush Musaj - rektor i Universitetit të Mitrovicës

Ish-sekretari i Degës së PDK-së në Mitrovicë, Alush Musaj dhe Ali Sadiku, xhaxhai i ministres së Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha-Sadiku, janë dy nga drejtuesit e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, të cilit të hënën iu hoq akreditimi për vitin akademik 2019/2020.

Alush Musaj është rektor i Universitetit “Isa Boletini”. Rektori Musaj më parë ka qenë sekretar i degës së PDK-së në Mitrovicë. Ka qenë drejtor i inspeksionit në mandatin e Bajram Rexhepit si kryetar i Komunës së Mitrovicës, shkruan Insajderi.

Ai është rektori i parë i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, pasi në vitin 2013 fillimisht ishte zgjedhur si ushtrues detyre në kohën kur është themeluar ky universiteti.

Ndërkaq, Ali Sadiku, i cili është xhaxhai i ministres nga radhët e PDK-së, Dhurata Hoxha-Sadiku, është prorektor për Buxhet dhe Financa në këtë universitet publik.


Foto: Ali Sadiku

Numrin prej tre prokrektorëve të Universitetit Publik të Mitrovicës e plotësojnë Rifat Morina dhe Izet Zeqiri. Morina është prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim të Cilësisë, ndërkaq Zeqiri ushtron detyrën e rektorit për Mësimdhënie, Çështje të Studentëve dhe Kërkime Shkencore.

E, Këshillin Drejtues të Universitetit Publik të Mitrovicës “Isa Boletini” e përbëjnë shtatë nëntë veta: Ali Topalli dhe Musa Dibrani si kryes dhe zëvendëskryesues, si dhe Meriton Hajzeri, Mustafë Haziri, Ismet Mulliqi, Nurten Deva, Halil Bajrami, Fatbardha Hoxha dhe Ylber Januzaj janë anëtarë të këtij këshilli.

Kryesuesi dhe zëvendëskryeruesi i Këshillit Drejtues të Universitetit “Isa Boletini” ishin emëruar në këto pozita me vendim të ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, në janar të këtij viti.

Bytyqi kishte emëruar edhe anëtarët Meriton Hajzeri dhe Mustafë Haziri.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë tërhoqi akreditimin për Universitetin e Mitrovicës dhe dy universitete të tjera publike, ato Pejës dhe të Prizrenit, në një vendim të publikuar të hënën.

Këshilli i Cilësisë, që vepron në kuadër të Agjencisë së Akreditimit vendosi që në bazë të raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë, t’u tërhiqet akreditimi për vitin akademik 2019/2020, Universiteteve Publike; “Ukshin Hoti” në Prizren, “Isa Boletini” në Mitrovicë dhe “Haxhi Zeka” në Pejë.

Sipas këtij vendimi, këto universitete nuk mund të regjistrojnë studentë të rinj për këtë vit akademik, ndërsa vazhdon mësimi për studentët që tashmë janë në vitin e dytë dhe të tretë të studimeve. /Insajderi.com