Ish-anëtari i Shqipërisë i gatshëm të pranojë ftesën e Kosovës

Katër gola në shtatë ndeshjet e para të kampionatit rumun të futbollit ia kanë rritur shpresat futbollistit nga Istogu, Azdren Llullaku, që të marrë ftesë nga trajneri i përfaqësueses kosovare, Albert Bunjaki, për ndeshjet e ardhshme të Kosovës.

Ish-anëtari i Shqipërisë i gatshëm të pranojë ftesën e Kosovës

Llullaku, 28-vjeçar i lindur në Istog por i rritur në Itali, më parë ka qenë anëtar i kombëtares shqiptare të futbollit, me të cilën përveç disa grumbullimeve në epokën “De Biasi”, nuk ka zhvilluar asnjë minutë në ndeshje zyrtare.

Me një karrierë modeste në fillimit e tij në Itali, Llullaku kulmin e karrierës e ka arritur pas vitit 2012, kur nga kategoritë e ulëta të futbollit italian bëri një hap përpara duke u transferuar në ligën elitare të futbollit rumun. Ai kaloi në Gaz Metan, skuadër me të cilën luan ende.

Në një prononcim për Insajderin, mesfushori nga Istogu thotë se nuk ka pasur asnjë kontakt me trajnerin Bunjaku, megjithatë është shprehur i gatshëm të kontribuoj sa herë që t’i kërkohet.

“Nuk kam pasur kontakte me askënd në federatë dhe nga stafi”, thotë Llullaku, teksa tregon për formën e mirë që është duke kaluar në këtë fillim kampionati. Ai thotë se e meriton një ftesë nga trajneri Bunjaki.

“Kam filluar besoj mire sezonin e ri me 4 gola ne 7 lojë, kam përvojë në një kampionat të mirë si Rumania dhe mendoj qe jam i gatshëm dhe presë një ftesë”, rrëfen Llullaku.

Momentalisht, Llullaku është golashënuesi i dytë më i mirë në kampionatin e Rumanisë, pas futbollistit të Botosanit, Istvan Fulop, i cili numëron gjashtë gola.

Llullaku ka qenë i ftuar nga Gianni De Biasi në miqësoren e kombëtares shqiptare ndaj Armenisë dhe ndeshjen kualifikuese për Botërorin “Brazil 2014”, por që nuk u inkuadrua për asnjë minutë në këto dy takime.

Ai ka qenë pjesë e skuadrës së “Yjeve” të Kosovës në takimin miqësor që futbollistët më të njohur me origjinë nga Kosova patën zhvilluar para dy vitesh ndaj Prishtinës në kryeqytet. /Insajderi.com