Ish-asistenti i Kurtit thotë se u intervistua nga policia pas instalacionit të bërë para qeverisë

Ish-asistenti i Kurtit thotë se u intervistua nga policia pas instalacionit të bërë para qeverisë

Ish-asistenti i liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Arianit Beqiri, është intervistuar sot nga Policia e Kosovës, njofton Insajderi.

Siç bën të ditur vetë Beqiri me anë të një postimi në Facebook, ai është ftuar të paraqitet në polici pas vendosjes së një instalacioni me emrin “Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike”, pranë objektit të Qeverisë.

“Pas përfundimit të shfaqjes së kësaj vepre artistike u ftova që të paraqitem në Policinë e Kosovës për të dhënë deklaratë. Ndonëse u prit që të deklarohem vetëm sa për procedurë, prokurori kujdestar kërkoi që të ngritet aktakuzë ndaj meje me pretendimin për kërcënim”, ka shkruar Beqiri.

Ai tha se qëllim i këtij instalacioni nuk ka qenë frikësimi.

“Në Polici deklarova se ky instalacion nuk ka përqëllim kërcënimin ndaj askujt. Vepra në vetëvete ka karakter artistiko-politik dhe është kritikë për Pakon e dobët e të varfërt të Rimëkëmbjes Ekonomike. Pra, nëse populli shpreson që së shpejti do të hapet sërish, shumë biznese duket se nuk do të mund të hapen më. Kjo po ndodhë sepse Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike, ndonëse po pritet shumë, nuk është ajo që po e prisnim”.

Ai thekson se është ftuar edhe nga prokuroria për t’u intervistuar.

“Me ftesën e Prokurorisë së Shtetit do të paraqitem për të deklaruar rreth kësaj vepre. Ashtu siç i pyeta zytarët policorë se si e parasheh procedura për vepër penale një vepër artistike bashkëkohore, jam kurioz ta dëgjoj edhe prokurorinë se çfarë përgjigje ka”, ka përfunduar ai. /Insajderi.com