Ish-deputetja dhe anëtarja e kryesisë së LDK-së punësohet në Agjencinë e Pyjeve

Ish-deputetja dhe anëtarja e kryesisë së LDK-së punësohet në Agjencinë e Pyjeve

Ish-deputetja dhe anëtarja e kryesisë së LDK-së, Rita Hajzeri-Beqa, është punësuar në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës. Ajo ka marrë pozitën e auditores së brendshme. Megjithatë, ajo nuk ka dhënë dorëheqje nga Kryesia e LDK-së për të marrë pozitën në shërbimin civil të Kosovës.

Në një njoftim në rrjetin e saj social “Facebook”, Hajzeri ka publikuar edhe pozitën e re ku shkruan se është punësuar si “Drejtoreshë e Auditimit të Brendshëm” në Agjencinë e Pyjeve.

Kjo agjenci është e udhëhequr prej Ahmet Zejnullahut, ish-ushtar i UÇK-së dhe i afërt me Partinë e Kadri Veselit.

Rita Hajzeri kishte qenë pjesë e AKR-së së Behgjet Pacollit. Pastaj ishte bërë pjesë e Partisë së Isa Mustafës. Në mandatin e fundit, Hajzeri ka qenë pjesë edhe e Kryesisë së LDK-së, organit vendimmarrës të partisë. Madje në Qeverinë e udhëhequr nga Isa Mustafa, Hajzeri kishte mbajtur pozitën e Zëvendësministres.

Deri më tash s’ka dhënë dorëheqje nga partia pavarësisht se në vitin e fundit ajo s’ka marrë pjesë pothuajse në asnjë mbledhje të LDK’së.

LDK-ja pritet të mbajë Kuvendin e Përgjithshëm të dielën e javës së parë të gushtit. Aty, pritet të votohen organet e reja të partisë përfshirë edhe kryesia e re.