Ish-gjykatësja e Deçanit, Safete Tolaj deklarohet e pafajshme

Ish-gjykatësja e Deçanit, Safete Tolaj deklarohet e pafajshme

Ish-gjykatësja e Gjykatës Themelore në Pejë, dega në Deçan, Safete Tolaj në shqyrtimin fillestar të mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, është deklaruar e pafajshme për akuzat e ngritura kundër saj për keqpërdorim të pozitës zyrtare, asgjësim apo fshehja materialit arkivor si dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare.

I pafajshëm është deklaruar edhe djali i saj Fisnik Tolaj, i cili po akuzohet për shtatë vepra penale, si “ushtrimi i ndikimit”, “mashtrimi”, “falsifikimi i dokumenteve” e të tjera,  si dhe i akuzuari i tretë i përfshirë në këtë rast, njëherësh polic i Stacionit Policor në Deçan, tani i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Granit Shehaj.

Pas leximit të aktit akuzues nga ana e prokurores së kësaj çështje Valbona Dishaj – Haxhosaj, ish-gjykatësja Tolaj dhe dy të tjerët deklaruan se nuk janë fajtor dhe nuk e pranuan fajësinë për asnjërën pikë që u ngarkon akti akuzues, shkruan Betimi për Drejtësi.

Meqë të pandehurit nuk e pranuan fajësinë, kryetari i trupit gjykues Agim Maliqi, njoftoi të njëjtit dhe mbrojtësit e tyre me autorizim, konkretisht avokatët Admir Salihu, Kujtim Kërveshi dhe Fitim Maloku, që brenda 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimet e tyre lidhur me aktakuzën.

Ndryshe, pas akuzave për korrupsion, gjykatësja në fjalë ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, ku dorëheqjen e saj e ka miratuar Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në mbledhjen e mbajtur më 16 nëntor të këtij viti.

KGJK-ja, ndërkaq e kishte suspenduar Tolajn nga pozita e gjykatëses mbikëqyrëse në Gjykatën Themelore të Pejës, dega në Deçan, më 23 janar 2017.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, Safete Tolaj, po akuzohet se në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Deçan, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose për tjetrin, përkatësisht për të pandehurin Fisnik Tolaj, ka keqpërdor autoritetin e saj zyrtar.

Sipas aktit akuzues pasi që e pandehura më 2 janar 2017, e kishte caktuar paraburgimin për një të pandehur, derisa i pandehuri Fisnik dhe Granit Shehaj takohen dhe ky i fundit duke shfrytëzuar detyrën zyrtare tejkalon kompetencat e tij dhe i jep shumën prej 1,900 euro të pandehurit Fisnik, për të ndikuar tek e pandehura, e cila më pas më 10 janar 2017, masën e paraburgimit e zëvendëson me masën e dorëzanisë.

Tutje, në aktakuzës, thuhet se e pandehura Safete Tolaj, deri më 13 janar 2017 ka fshehur materialet arkivore të Gjykatës Themelore në Pejë, dega në Deçan, ashtu që në shtëpinë e të njëjtës janë gjetur dosje origjinale të kësaj gjykate, e të cilat e kishin vendin në arkivin e gjykatës.

Gjithnjë, sipas aktakuzës, e pandehura deri më 13 janar 2017, në gjykatën e lartcekur i ka mundësuar të pandehurit Fisnik Tolaj, përpilimin e dokumenteve dhe shkresave zyrtare ashtu që ky i fundit duke shfrytëzuar pozitën e të pandehurës dhe me dijeninë e saj, përdor vulën dhe shkresat zyrtare në të cilat fut përmbajtje të rreme.