Brian Honeybourn, ish-zyrtar i hetuesisë në kuadër të NATO-s, i cili kishte shërbyer gjatë luftës së fundit në Kosovë, ndoshta nuk do ta besonte që do të fliste me vajzën e " />

Ish-hetuesi i NATO-s takohet me kosovaren e plagosur 20 vjet pas luftës në Kosovë

Ish-hetuesi i NATO-s takohet me kosovaren e plagosur 20 vjet pas luftës në Kosovë

Brian Honeybourn, ish-zyrtar i hetuesisë në kuadër të NATO-s, i cili kishte shërbyer gjatë luftës së fundit në Kosovë, ndoshta nuk do ta besonte që do të fliste me vajzën e quajtur Vlora Shabani, rastin e së cilës ai e kishte hetuar para njëzet vitesh në Kosovë. Ai ishte takuar me vajzën që në kohën e luftës ishte 12-vjeçare gjatë hetimeve për një sulm të armatosur ndaj civilëve shqiptarë nga forcat serbe.

Vlora, bashkë me shumë anëtarë tjerë të familjes, ishte viktimë e një sulmi të tmerrshëm gjatë luftës në Kosovë. Hetuesi spjegon se si forcat serbe e kishin rreshtuan Vlorën dhe familjen e saj në shtëpinë e tyre në Llashticë të Gjilanit dhe i qëlluan një nga një. Kur arma i ishte drejtuar Vlorës, plumbi e kishte goditur në dorë dhe faqe dhe i kishte dalë nga fytyra, duke ia shkaktuar vetëm një lëndim në gisht dhe një plagë të vogël në faqe.

“Zoti ka qenë aty, sigurisht. Disa njerëz e kanë vështirë ta besojnë këtë ngjarje por unë i kam fotografitë e kësaj vajze”, thotë Honeybourn. Pasi ia kishin pushkatuar familjen, ushtria ia kishte vënë flakën shtëpisë dhe vëllai dyvjeçar i Vlorës ishte djegur i gjallë. Njëzet vjet më vonë, hetuesi u informua se Vlora është gjallë dhe mirë, ka krijuar familje dhe se i është trajtuar plaga e gishtit dhe fytyrës pak kohë pas sulmit.

“Kjo është e mrekullueshme. Jam shumë, shumë i kënaqur”, thotë Honeybourn për lajmin e gëzueshëm. Këtë lajm ia dha Milaim Grabovci, një burrë që jetonte 16 kilometra larg Llashticës, aty ku kishte ndodhur masakra. Në vitin 1999, Grabovci e kishte takuar Vlorën pasi ishte njoftuar për masakrën që kishte ndodhur afër qytetit të tij. Pas pak kohësh, ai ishte zhvendosur nga Kosova në Maqedoni si refugjat pasi forcat serbe kishin filluar ta kërkonin. Përderisa po qëndronte në një kamp refugjatësh, Milaim Grabovci e kishte takuar një gazetar të gazetës “Washington Post”, i cili e kishte publikuar një shkrim për rastin e Vlorës.

Pasi ajo kishte dalur në faqen e parë të gazetës, një amerikan i quajtur Bill Brill ishte paraqitur që ta ndihmonte. Ai kishte udhëtuar në Kosovë për ta takuar Vlorën pak kohë pas sulmit të armatosur. Ai ia kishte paguar biletën asaj për të udhëtuar në SHBA dhe për t’iu nënshtruar një operacioni në faqe dhe gisht. Më vonë ai e kishte hapur një fond, me anë të të cilit Vlorës i ishte ndërtuar një shtëpi. Milaimi thotë se Billi ishte një njeri shumë bamirës. “Ai iu ka ndihmuar shumë njerëzve. Vlora nuk ishte personi i vetëm që ai e ka ndihmuar. Kishte edhe fëmijë tjerë nga Kosova që u ndihmuan nga ai dhe u sollën në SHBA për trajtim mjekësor”, thotë ai.

Pasi e kishte parë vrasjen e anëtarëve të familjes së vet, Vlora e kishte dëgjuar edhe vëllain duke qarë përderisa po digjej i gjallë në shtëpinë e djegur. Si pasojë, Vlora kishte shumë ankthe gjatë natës për një kohë të gjatë. Pavarësisht shumë tmerreve të përjetuara, ajo e vazhdoi jetën në fshat me xhaxhain, vëllain dhe gjyshen. Pas luftës, Vlora e përfundoi shkollimin dhe tash është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Shumë vjet më pas, në fëmijërinë e Vlorës është kthyer edhe hetuesi Honeybourn. Gjatë zhvillimit të hetimeve në shtëpinë e djegur, ai e kishte gjetur një çelës të vjetër. “Nuk e dija se i kujt ishte ai çelës prandaj e mora në Kanada. Sidoqoftë, tash ai i përket Vlorës dhe familjes së saj”, thotë ai. Pasi ra në kontakt me Vlorën përmes e-mailit, ai ia dërgoi me postë gjësendet që i kishte marrë në shtëpinë e saj.

“Ajo ishte e prekur dhe e gëzuar që kishte diçka që e lidh me shtëpinë dhe familjen e saj”, thotë Grabovci. Ai thotë se hetimi për këtë rast kishte vazhduar deri në vitin 2010, pavarësisht që disa dëshmitarë kishin deklaruar se e njohin një të dyshuar. Për arsye të panjohura, i dyshuari nuk ishte arrestuar asnjëherë, shkruan “Langley Times”. /Express