Ish-kandidati për kryetar të Drenasit nga Fjala, i bashkohet Nismës

Ish-kandidati për kryetar të Drenasit nga Fjala, i bashkohet Nismës

Nisma për Kosovën në një konferencë për media prezantoi aderimin e ish-kandidatit për kryetar të Komunës së Drenasit nga Partia Fjala, Vehbi Berishës.

Kryetari i Nisma, Fatmir Limaj, shprehi kënaqësinë që subjektit që ai drejton po i bashkohen intelektualë dhe njerëz, të cilët, siç u shpreh ai, me përkushtimin dhe angazhimin e tyre kanë bërë çmos për politikën e Kosovës.

Ndërsa përveq Berishës, Nismës që nga sot i është bashkuar edhe Nexhmi Bala.

“Nga sot Nismës i bashkohen edhe Vehbi Berisha dhe Nexhmi Bala”, ka thënë Limaj.

Vehbi Berisha, ish-kryetar i degës së partisë Fjala dhe asamblist i pavarur në asamblenë komunale, po ashtu ishte edhe kandidat për kryetar të Drenasit në zgjedhjet e jashtëzakonshme në këtë komunë të mbajtura në dhjetor të vitit të kaluar.

Berisha tha se është nder t’i bashkohesh subjektit politik Nisma, me të cilën kanë pasur bashkëpunim edhe në zgjedhjet për Drenasin.

Ndërsa, Nexhmi Bala, asamblist në komunën e Drenasit, tha se qëllim i Nisma është që pas zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit të forcohet Republika e Kosovës./Insajderi.com