
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, ka thënë se ideja e akademikut Rexhep Qosja për shkëmbime territoresh në mes të Kosovës e Serbisë është e gabuar.
Sipas tij, kufijtë e çdo shteti bartin garanci ndërkombëtar dhe respektimi i tyre është vullnet për të respektuar rregullat ndërkombëtare.
“Historia e re dhe e vjetër i kanë mësuar kombet se kufijtë nuk vendosen mbi dëshira kombëtare. Ato janë dhe mbartin garancitë ndërkombëtare. Kufiri është serioziteti i cdo shteti për të respektuar fqinjin. Ai shpreh vullnetin për të respektuar rregullat ndërkombëtare që e bëjnë atë anëtar të Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Majko.
“Hapja e diskutimeve të tilla pas krizës së “trenit” të provokimit serb nuk është i dobishëm. Tashmë ka një vullnet ndërkombëtar të shprehur për sovranitetin territorial të Kosovës. Dëshirat janë njerëzore. Shteti ka qëllime. Nuk është e nevojshme që, pikërisht tani, të ngrihet nga ata që i duan dhe nuk i duan shqiptarët pyetja “Cfarë duan shqiptarët!?”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.
“Pasiguria në marrëdhëniet ndërkombëtare nxjerr të humbur palën që e nxit atë.
Me respektin maksimal për Rexhep Qosen, për një mik që koha nuk e ndryshon… Nga ai kam mësuar se serbët njohin vetëm ato kontrata që nuk e nxjerrin humbës”.
Akademik Qosja ka propozuar shkëmbimin e Mitrovicës së Veriut me Luginën e Preshevës. Sipas tij, kjo do të “shpëtonte” Kosovën nga Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.