Ish-trajneri i kombëtares: De Biazi nuk është më lider

Ish-trajneri i kombëtares: De Biazi nuk është më lider

Ish-trajneri i Kombëtares dhe aktualisht analist pranë “SuperSport”, Astrit Hafizi, është treguar shumë kritik pas humbjes së djeshme të Kombëtares me Luksemburgun. Në fjalën e tij pas sfidës, Hafizi deklaroi se pa një skuadër të pamotivuar, ashtu si edhe trajnerin De Biazi.

“Ishte një miqësore që nuk vlejti fare për Izraelin. Skuadra m’u duk e pamotivuar. Edhe trajnerin e pashë në një situatë të tillë, pasi nuk kishte atë drejtim që i ka bërë më parë ekipit nga stoli. Kam përshtypjen se janë të njëjtit lojtarë që nuk po lënë asnjë gjurmë. Kanë marrë Grezdën, ndërsa më parë Llullakun, që nuk kanë lidhje fare me Kombëtaren”, ka thënë ai.

“Ka edhe lojtarë si Lenjani, që ka humbur orientimin dhe disa reflekse, që ndodhin natyrshëm kur ke një kohë të gjatë pa luajtur. Ai humbi raste të çuditshme në 5-metërsh. Janë disa gjëra që nuk shkojnë. Edhe Kaçe mendoj se stonoi, pasi ishte i shkëputur nga grupi. Jam skeptik për të ardhmen, ekipi nuk është i stabilizuar”, tha fillimisht Hafizi në analizën e tij.

“Lideri i skuadrës duhet të jetë trajneri. Të tjerët në fushë, që nga kapiteni janë vetëm ndihmës të tij. Tani nuk është më as lider ai. Na ka ikur boshti i skuadrës. Nuk mund të jetë vetëm kapiteni lideri në ekip. Boshti po prishet, me largime të disa lojtarëve. Gjimshiti, me largimin në disa ndeshje, ka mbetur vetëm Mavraj”, shton ai.

“Në mesfushë ka ikur Xhaka dhe ka ndryshuar shumë. Në sulm, herë Cikalleshi dhe herë Sadiku e nuk dimë se cili luan”, deklaroi ndër të tjera Hafizi gjatë analizës së tij që i bëri humbjes së Shqipërisë në Luksemburg, njofton panorama-sport.

Hafizi prej kohësh po tregohet shumë kritik ndaj teknikut italian të Kombëtares.