Ishte ndër të parat që u infektua me koronavirus në Kosovë – kjo është gjendja e shtetases italiane

Ishte ndër të parat që u infektua me koronavirus në Kosovë – kjo është gjendja e shtetases italiane

Janë bërë më shumë se dy javë prej që janë lajmëruar rastet e para me koronavirus në Kosovë. Ndër të parat që ishte prek me këtë pandemi, kishte qenë 20-vjecarja italiane e cila ishte me vendbanim të përkohshëm në Komunën e Klinës.

Shtetasja italiane, aktualisht është ende e shtrirë në Kliniken Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), shkruan Gazeta Insajderi.

Infektoloku, Shemsedin Dreshaj në Klinikën Infektike, ka thënë për Insajderin se ajo është ende e shtrirë në spital.

“Ajo është e shtrirë në spital dhe është duke marr trajtim normal”, ka thënë Dreshaj.

Ndërsa Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj ka treguar për Insajderin se shtetasja italiane e cila ishte duke punuar në këtë komunë, në testin e bërë së fundi ka rezultuar pozitiv.

Elezaj ka bërë të ditur se sipas informatave që ai posedon, gjatë këtyre ditëve pritet t’i bëhet sërish testi.

“Ajo është ende duke u trajtuar, para dy ditësh e ka bërë testin dhe ka dal pozitiv, po këto ditë e ka testin e fundit dhe shpresojmë që të del negativ”, ka thënë Elezaj.

Ndër tjera i pari i kësaj komune ka thënë se qytetarët e kësaj komune janë duke respektuar karantinën dhe se aktualisht kanë të gjitha kushtet për tu mbrojtur nga pandemia COVID-19.

“Aktualisht jemi duke e respektuar të qenurit në karantinë, nuk jemi duke pasur ndonjë problem, furnizime po ashtu kemi, grande dhe donacione po kemi nga organizatat joqeveritare po ashtu tash edhe komuna është duke i zbatuar masat e marra”, ka thënë Elezaj.

Aktualisht në Kosovë gjithsej të infektuar me koronavirus janë 108 persona, një është shëruar dhe një i vdekur. /Insajderi.com