Ismaili për Haradinajn: Ka qenë shkurt në Betejën e Kosharës, vetëm një herë e kam taku

Ismaili për Haradinajn: Ka qenë shkurt në Betejën e Kosharës, vetëm një herë e kam taku

Deputeti i PSD-së, Fisnik Ismaili ka folur në emisionin ‘DPT te Fidani’ në T7 rreth kohës së tij në luftën e Koshares dhe raportet me Nasim Haradinajn.

Ismaili ka treguar se në Koshare ishte përgjegjës për pajisjet e komunikimit edhe radiolidhjeve. Në këtë mënyrë, thotë të ketë pasur komunikim të vazhdueshëm me komandantët, por se si i tillë nuk mban mend t’i jetë prezantuar Nasim Haradinaj.

“Kam qenë mbikëqyrës në radiolidhje. Nuk e di që ndonjëherë që kam komuniku me të në ndonjë aksion ose betejë e cila është ndërmarrë për me e ditë që ka qenë njëri prej komandantëve”, thotë Ismaili.

“Unë e di që ka qenë shkurt aty, ka hy e ka dalë. Nuk mu ka prezantu si njëri prej komandantëve me të cilët kam pasur punë. Nuk ia di as nofkën dhe s’e di a ka pasur nofkë. Nuk e di as cilën togë e as çka ka komandu”, shpjegon ai.

Ismaili nuk kujton që Haradinaj të ketë qenë pjesë e Betejës së Koshares.

“Jam tu folë për pjesëtarët e Brigadës Agim Ramadani. Sa e di unë Nasim Haradinaj ka hy e ka dalë. Nuk e di që ai ka qëndruar gjatë Betejës së Koshares. Një herë e kam taku”, tha Ismaili.

Ndërkohë, ish-deputeti i VV-së thotë se në Koshare ishin ‘një familje e madhe’ por edhe se kishte ‘sabotazhe’.

“Ka pasur sabotazh për gjëra që unë nuk i di dhe s’më takon me fol. Kemi qenë si një familje e madhe. Edhe tani jemi politikisht të shpërndarë por duhemi si vëllezër”, tha Ismaili.

Ish-komandanti i Betejës së Koshares Nasim Haradinaj, që tani është nënkryetar i OVL të UÇK-së ditë më parë tha se roli i Ismailit në luftë ka qenë për të mbushur bateri.