Isufi arsyeton numrin e madh të ministrave dhe zëvendësministrave

Isufi arsyeton numrin e madh të ministrave dhe zëvendësministrave

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmet Isufi, gjatë vitit të kaluar kishte thënë se Qeveria e Kosovës është më e madhe se e Kinës.

Këtë deklaratë, Isufi e kishte bërë në një emision televiziv, derisa ishte duke folur për çështjen e pensioneve të veteranëve të UÇK-së.

“Nuk mund të ketë arsyetim se janë shumë veteranë të UÇK-së e nuk po ka buxhet për pensione, kur ne po shohim që kemi 20 ministri. Një vend me dy milionë banorë dhe me një territor 11 mijë kilometra ka qeveri më të madhe se të Kinës”, kishte deklaruar Isufi.

Telegrafi ka kontaktuar me Isufin për të parë se nëse ende mban të njëjtin mendim tashmë kur Qeveria Haradinaj është më e madhja për nga numri i zëvendësministrave.

Mirëpo, Isufi ka arsyetuar këtë veprim duke thënë se është qeveri e madhe për shkak të numrit të madh të partive në koalicion.

“Është qeveri e madhe për shkak të numrit të madh të partive që janë bërë në koalicion”, tha shkurt Isufi.