Ivanoviq: Duhet të ulemi dhe ta diskutojmë statusin e Kosovës

Ivanoviq: Duhet të ulemi dhe ta diskutojmë statusin e Kosovës

Lideri i Iniciativës Qytetare SDP, Oliver Ivanoviq ka thënë se zgjidhja e problemeve të Serbisë me shqiptarët duhet të jetë prioritet i serbëve. Kolaps

“Sipas meje, politika serbe ka një listë të prioritete për raportet me kroatët dhe boshnjakët, duke i paraqitur ato më të rëndësishme se me shqiptarët. Unë mendoj se shqiptarët duhet të jenë prioriteti ynë”, ka thënë Ivanoviq për Blicin serb.

Ai tha se potenciali për  telashe dhe konflikte mes shqiptarëve dhe serbëve është përcjellë me keqkuptime të mëdha.

Sipas tij mënyra e vetme për t’i zgjidhur këto probleme është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, dhe krijimi i raporteve të mira me shqiptarët nëpërmjet Tiranës.

Ai i vlerësoi shqiptarët si njerëz me tradita dhe konservatorë.

“I kemi vlerësuar gabim dhe i kemi nënvlerësuar në fakt. Ata janë njerëz shumë tradicionalë dhe konservatorë, prandaj mund të krahasohen me vendet e tjera. Duhet të përshtatemi dhe të gjejmë çelësin e komunikimit”, ka thënë Oliver Ivanoviq.

Ai ka theksuar se Kosova asnjëherë nuk do të pushojë së qeni pjesë e Serbisë.

“Kosova nuk do pushojë asnjëherë së qeni Serbi, por duhet të ulemi dhe ta diskutojmë statusin e Kosovës”, përfundoi Ivanoviq, shkruan lajmi.net.

Oliver Ivanoviq së fundi është liruar nga arresti shtëpiak, pasi është i dyshuar për krime lufte në Kosovë.