Izraeli fiton në Berlinale 2019

Izraeli fiton në Berlinale 2019

Ariun e Artë të këtij viti në “Berlinale”, të shtunën e ka fituar regjisori izraelit Nadav Lapid me filmin “Synonyms” që flet për një izraelit të ri në Paris i cili ia ka kthyer shpinën vendit të tij të origjinës.

Çmimi Ariu i Argjendtë i Jurisë së Madhe shkoi për dramën e regjisorit francez, François Ozon, “By the Grace of God”, një pasqyrë faktike e skandalit të abuzimit seksual të Kishës Katolike prapa gjyqit që po vazhdon ndaj Philippe Barbarinit, kryepeshkopit të Lionit, raporton “Variety”.

Duke pranuar çmimin, Lapid tha se filmi “Synonyms” me siguri se do të konsiderohej skandaloz në Izrael e Francë, por shtoi se përfundimisht ishte një kremte.

Ozon, derisa po e pranonte çmimin, tha se nuk e dinte nëse adresimi i abuzimit seksual me fëmijë në film do të mund të bënte dallimin, por shtoi se ia ka vlejtur.

Filmbërësja gjermane, Angela Schanelec, fitoi çmimin e regjisë më të mirë për dramën e saj në lidhje me një familje me probleme, “I Was at Home, But”.

Juria e përbërë nga gjashtë persona, e udhëhequr nga aktorja franceze Juliette Binoche, ndau çmimin Ariu i Argjendtë për aktorin dhe aktoren më të mirë për yjet e dramës kineze të Wang Xiaoshuait, “So Long, My Son”, Wang Jingchun dhe Yong Mei.

Ceremonia e së shtunën nisi pak orë pas lajmit për vdekjen e aktorit zviceran Bruno Ganz, i cili u përkujtua në ceremoni.

Ky vit u përshkua me anulimin e filmit “One Second” të Zhang Yimous, një dramë kjo e zhvilluar gjatë Revolucionit Kulturor Kinez, si pasojë e “arsyeve teknike”, gjë që uli numrin e garuesve në 16.

Kosova mori pjesë për herë të parë në konkurrencën zyrtare në “Berlinale” me filmin dokumentar “Në mes”. Ai u shfaq premierë të martën mbrëma, dhe u prit me ovacione të mëdha.

Regjisori i filmit, Samir Karahoda, menjëherë pas premierës, i ka thënë gazetës “Koha Ditore” se reaksioni i publikut për filmin ishte shumë i mirë e po ashtu edhe komentet që ka marrë ekipi pas premierës ishin të një audience që ka pëlqyer goxha “Në mes”.

Kjo është lista e plotë e fituesve në “Berlinale 2019”:

Ariu i Artë për Filmin më të mirë: “Synonyms”, Nadav Lapid

Çmimi Ariu i Argjendtë i Jurisë së Madhe: “By the Grace of God”, François Ozon

Ariu i Argjendtë për Regjisorin më të mirë: Angela Schanelec, “I Was at Home, But”

Ariu i Argjendtë çmimi Alfred Bauer: “System Crasher” i Nora Fingscheidtit

Ariu i Argjendtë për Aktoren më të mirë: Yong Mei, “So Long, My Son”

Ariu i Argjendtë për Aktorin më të mirë: Wang Jingchun, “So Long, My Son”

Ariu i Argjendtë për Skenarin më të mirë: “Piranhas”, Maurizio Braucci, Claudio Giovannesi dhe Roberto Saviano

Ariu i Argjendtë për Kontribut të pashoq artistik, për kostum apo për dizajn skenik: “Out Stealing Horses”, Rasmus Videbæk

Çmimi për Dokumentarin më të mirë “Berlinale Glashütte Original”: “Talking About Trees”, Suhaib Gasmelbari

Filmi i parë i më i mirë i metrazhit të gjatë: “Oray”, Mehmet Akif Büyükatalay

Ariu i Artë për Filmin më të mirë të shkurtër: “Umbra”, Florian Fischer dhe Johannes Krell

Ariu i Argjendtë për Filmin e shkurtër Çmimi i jurisë: “Blue Boy”, Manuel Abramovich

Çmimi Audi për Filmin e shkurtër: “Rise”, Bárbara Wagner dhe Benjamin de Burca./ Insajderi.com