BE-ja thotë se pas dënimit të Mlladiqit në Ballkan duhet të ndodhë pajtimi

BE-ja thotë se pas dënimit të Mlladiqit në Ballkan duhet të ndodhë pajtimi

Bashkimi Evropian sot u ka bërë thirrje vendeve të Ballkanit për “t’i nderuar viktimat” e krimeve të luftës duke punuar kah pajtimi, pasi ish-komandanti ushtarak i serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq, është dënuar me burgim të përjetshëm.

Më tutje, në deklaratën e BE-së theksohet se vendimi i Tribunalit ndërkombëtar për krime të luftës për ish-Jugosllavinë, i shpallur sot, “i prek disa prej ngjarjeve më të errëta dhe tragjike në Bosnjë-Hercegovinë, Ballkanin Perëndimor, pastaj në historinë aktuale të Evropës, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë”.

“Bashkimi Evropian beson se të gjitha vendet në rajon janë të përkushtuara dhe vendosura për të punuar kah pajtimi, bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore”, thuhet në deklaratën e Bashkimit Evropian dhe shtohet se “ne presim që të gjithë liderët politikë në rajon, t’i nderojnë viktimat duke i promovuar dhe respektuar këto përkushtime”. /Rel