fbpx

Jahjaga godet ashpër deputetën e PDK-së pas publikimit të fotografisë

Jahjaga godet ashpër deputetën e PDK-së pas publikimit të fotografisë

Ish-presidentja e Kosovës, njëherit drejtuesja e fondacionit për gratë dhe burrat e dhunuar gjatë luftës, “Fondacioni Jahjaga”, Atifete Jahjaga, ka komentuar rastin e publikimit të fotografisë së gruas që ishte dhunuar gjatë luftës, transmeton Insajderi.com

Fotografinë e kishte publikuar sot në Kuvendin e Kosovës deputetja e PDK-së, Flora Brovina ndërsa Jahjaga përmes Facebook ka thënë se është e turpshme që një deputete e Kuvendit të Kosovës e cila dikur ngriste dorën kundër të drejtave të grave dhe burrave të dhunuara gjatë luftës, sot publikon para medieve një fotografi që dokumenton aktin e dhunimit të një gruaje shqiptare.

“Veprimi i deputetës është joetik, joligjor, e jonjerëzor! Publikimi fotografisë cenon rëndë privatësinë e viktimës dhe mund të çojë në zbulimin e identitetit të një dëshmitareje potenciale të krimit që Serbia ka kryer ndaj popullit tonë. Publikimi i asaj fotoje ri-traumatizon viktimën dhe të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe dekurajon të mbijetuarit që të dalin përpara me të vërtetën mbi krimin që është kryer mbi trupat e tyre”, ka shkruar Jahjaga.

Atifete Jahjaga, e cila është themeluese e fondacionit “Fondacioni Jahjaga”, ka thënë se publikimi i fotografisë është goditje e sërishme ndaj dinjitetit të gruas që shihet në fotografi dhe është një goditje e rëndë për luftën për drejtesi të mijëra grave dhe burrave që u bënë cak i një fushate të egër të dhunimit seksual nga Serbia.

“Të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë nuk janë vegla që mund t’i përdorni për spektaklet e juaja politike!”, ka shkruar Jahjaga.