
Presidentja në largim e Kosovës, Atifete Jahjaga u prit sot në Shtëpinë e Bardhë nga Zëvendëspresidenti amerikan, Joseph Biden, me të cilin diskutuan për konsolidimin e Republikës së Kosovës dhe situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon.
Presidentja Jahjaga shprehu mirënjohjen e saj administratës amerikane për përkrahjen dhënë institucioneve të Kosovës për të konsoliduar dhe forcuar demokracinë në vend dhe për subjektivitetin shtetëror në arenën ndërkombëtare.
Jahjaga e theksoi edhe kontributin e Republikës së Kosovës për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, në veçanti me përpalljen me fenomenin e luftëtarëve të huaj, qytetarë të Kosovës që u janë bashkangjitur organizatave terroriste në Siri dhe Irak.
Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka qenë e pa kompromis në qasjen e saj ndaj kësaj sfide dhe se ka ofruar një partneritet të gjerë me shtetet rajonale për ta adresuar këtë kërcënim.
Jahjaga falënderoi personalisht Zëvendëspresidentin Biden për përkrahjen personale për Kosovë dhe theksoi se ndihet krenare që në mandatin e saj si Presidente e vendit ka forcuar miqësinë dhe partneritetin mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. /Insajderi.com