Jakup Krasniqi shkruan për lëvizjen e rusëve në Kosovë, tregon edhe një proverbë

Jakup Krasniqi shkruan për lëvizjen e rusëve në Kosovë, tregon edhe një proverbë

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi në një shkrim për lëvizjen e rusëve në Kosovë, ka thënë se këto lëvizje mund të rrezikojnë të sotmen dhe të ardhmen e kombit shqiptar.

Lëvizja e rusëve dhe e grupeve të tjera lindore që veprojnë më shumë se 20 vjet në Kosovë për mua nuk është shqetësuese! Të gjitha këto grupe ruse e proruse, së bashku, thuaja në një flamur: anti- Kosovë, anti-NATO dhe anti-Perëndim, nuk janë duke sjellë zhvillim, progres e siguri kombëtare, por pasiguri, prapambeturi, primitivizëm, që mund të rrezikojnë të sotmen dhe të ardhmen e kombit shqiptar.

Mosfunksionimi i institucioneve më vitale të shtetit, paaftësia e drejtuesve të shtetit për t’i funksionalizuar institucionet kushtetuese përgjegjëse për sigurinë kombëtare e shtetërore, për t’i mbrojtur vlerat kombëtare, kulturore, arsimore, shkencore, zhvillimore dhe sigurinë kombëtare nga çdo armik i kombit dhe i shtetit ngado që mund të vijnë ata janë shqetësuese për mua!

Një proverb thotë: “Ja dynjanë ja ahiretin, të dyja nuk çohen”! E qeveritarët nuk mund të punojnë edhe për shtetin edhe për veten! Gjatë këtyre viteve i kemi parë të bëjnë shumë për vete e tepër pak për shtetin.

Po të mendonim e punonim shumë për shtetin e pak për veten, do të flisnim më pak për  rreziqet që i kanosen kombit e shtetit! Institucionet kushtetuese do ta garantonin sigurinë.

Sikur gjatë këtyre viteve të lirisë e të pavarësisë të investonim në autostradën e arsimit e të edukimit, të mbrojtjes e të sigurisë kombëtare, e pak në autostradat e asfaltit, nuk do të flisnim për rrezikun serb, rus, grek apo ndonjë tjetër.

Secili njeri e ka të drejtën të punojë e të pasurohet për vete, për familjen e tij, për gardën e tij të mbrojtjes personale, me investimet e tij, nga biznesi i tij, por jo me parat e buxhetit të shtetit, me parat e publikut të varfër. Me taksapaguesit, të cilët të vetmit janë të ndërgjegjshëm dhe me djersën e tyre po e mbajnë këtë copë shtet!