fbpx

Janë suspenduar nëntë punëtorë të ANP “Adem Jashari”

Janë suspenduar nëntë punëtorë të ANP “Adem Jashari”

Nëntë punëtorë janë suspenduar nga puna sot në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”. Kështu, ka thënë kryetari i Sindikatës, Bashkim Latifi, për Telegrafin.

Ai ka thënë se menaxhmenti i ANP “Adem Jashari” ka suspenduar nëntë punëtorë të cilët kanë marrë pjesë në grevë.

Ndryshe, për të dytën ditë me radhë Sindikata e Punëtorëve të Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” është duke mbajtur grevë me të cilën po kërkojnë kompensim dhe përfitime tjera për rrezikshmërinë, eliminimin e dallimeve në paga, pagesën e përvojës së punës, orët e punës gjatë vikendeve të paguhen sipas Ligjit të Punës dhe pagesën e shujtës.

“Menaxhmenti po mendon që i ka ra dielli në kokë me një grevë, që nga 2011-ta kërkesat kanë qenë kështu dhe vazhdimisht qëndrojnë sepse janë me Ligjin e Punës në fuqi. Menaxhmenti nuk i ka ndryshuar sjelljet që nga 2011-ta, sepse sot ka suspenduar nëntë punëtorë, të cilët kanë marrë pjesë në grevë që nuk kanë dashur të punojnë. Iu është marrë leja e hyrjes në punë”, tha Latifi.

Po ashtu, ai thotë se menaxhmenti ka tentuar t’i largojë pllakatet e punëtorëve grevistë.

“Pllakatet ose fletët e informimit janë të lejuara me ligje sindikale dhe sindikata ka të drejtë t’i bëjë njoftimet përmes shkresave. Menaxhmenti ka dalë dhe ka tentuar t’i largojë – që nuk ka qenë detyrë e menaxhmentit…”, tha ai.

Përkundër veprimeve të menaxhmentit, Latifi konfirmon se edhe nesër do të mbahet grevë.

“Sipas planifikim të kuvendit, nesër do të ketë grevë gjashtë orëshe, prej orës 08:00 deri 14:00”, njofton Latifi.

Megjithatë, zëdhënësja e ANP “Adem Jashari”, Valentina Gara, për Telegrafin ka thënë se këtë punëtorë nuk janë suspenduar, por atyre iu është ndaluar qasja në zona të kufizuara të sigurisë në aeroport.

“Ata nuk janë suspenduar, vetëm ID kartelat e aeroportit u janë pezulluar. Në bazë të programit të sigurisë për aviacion të aeroporteve, atyre iu është ndaluar qasja në zona të kufizuara të sigurisë, për shkak të veprimeve të tyre të paligjshme të ditës së djeshme”, tha Gara.

Kujtojmë se Sindikata e Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, kishte paralajmëruar se do të mbajnë grevë treditore, ku dy ditë greva do të jetë një përkatësisht dy orëshe, ndërsa një ditë do të jetë gjithëditore. / Insajderi.com