Janjiq me parakusht për dialogun Prishtinë-Beograd

Janjiq me parakusht për dialogun Prishtinë-Beograd

Igumeni i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, ka shprehur se për dialogun Prishtinë-Beograd ka një parakusht kryesor, i cili është respektimi i barabartë i të drejtave dhe lirive për të gjithë në Kosovë, njofton Insajderi.

“Dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës është i rëndësishëm kryesisht për normalizimin e jetës në Kosovë dhe në rajon. Por parakushti kryesor për dialog është respektimi i barabartë i të drejtave dhe lirive për të gjithë në Kosovë, gjë që nuk është rasti’, ka shkruar ai në Twitter.

Ai tha se “një dialog në të cilin Serbia duhet të përmbushë dëshirat e palës tjetër nën presion është absurde”.

Janjiq theksoi se çdo zgjidhje e nxituar ose e imponuar që privilegjon në mënyrë të njëanshme njërën dhe dëmton tjetrën është në thelb e pazbatueshme dhe e padrejtë.

Ai u shpreh se dialogu duhet të vazhdojë me vullnet të mirë dhe të përmirësojë jetën e njerëzve, të mbrojë trashëgiminë e rrezikuar serbe në Kosovë, të ndalojë emigrimin e të rinjve dhe të përmirësojë situatën ekonomike gjë që është jetike.

Një zgjidhje e drejtë e situatës në Kosovë, Janjiq tha se do të ndikojë shumë në të ardhmen dhe reputacionin e BE-së si një ndërmjetësues.

“Në këtë rol, me qëndrimin e shteteve anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën dhe Metohinë, kryesisht për shkak të pasojave të mundshme për vendet e tyre, BE-ja ka një detyrim të mbetet statusi neutral dhe një ndërmjetës i vullnetit të mirë”./Insajderi.com