Japoni: Më shumë se 1.800 vetëvrasje të kryera në shtator

Japoni: Më shumë se 1.800 vetëvrasje të kryera në shtator

Agjencia Kombëtare e Policisë (NPA) e Japonisë ka bërë të ditur se në vend gjatë muajit shtator janë kryer mbi 1.800 vetëvrasje, transmeton Insajderi.

Sipas një njoftimi nga NPA, numri i përgjithshëm i vetëvrasjeve në mbarë vendin në muajin shtator u rrit në 1.805 persona, respektivisht me një rritje prej tetë përqind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Numri i vetëvrasjeve tek meshkujt arriti në 1.166 me një rritje prej 0.4%, ndërsa tek gratë në 639 me një rritje prej 27%.

“Ka pasur një ngritje në numrin e rasteve të vetëvrasjes që nga korriku. Ne duhet ta pranojmë faktin se kaq shumë njerëz po i japin fund jetës së tyre të çmuar”, tha sekretari kryesor i kabinetit Katsunobu Kato, raporton Al Jazeera.

Kato, i cili ishte ministri i shëndetësisë i Japonisë deri në fillim të këtij muaji, u bëri thirrje njerëzve të përdorin linja telefonike për parandalimin e vetëvrasjeve dhe shërbime të tjera.

Në gjysmën e parë të këtij viti, kishte një rënie të numrit të vetëvrasjeve në Japoni. Në vitin 2019, shifra ra në një rekord të ulët, gjë që grupet joqeveritare ia atribuuan përpjekjeve në rritje për adresimin e çështjes. /Insajderi.com