Jasharaj pas takimit me Abdixhikun me thirrje për presidenten Osmani

Jasharaj pas takimit me Abdixhikun me thirrje për presidenten Osmani

Greva është duke vazhduar që të mbahet.

Për këtë është deklaruar edhe kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës të Kosovës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, i cili ka thënë se pret nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, që t’i shohë palët të barabarta sa i përket grevës së punëtorëve të sektorit publik.

Ai ka thënë se kanë shpresa që Osmani do bëjë ndonjë hap pozitive.

“Ne jemi të angazhuar maksimalisht që kushdo që mundet ta bëjë një hap pozitiv drejt dialogut. I kemi thënë kabinetit të saj po dhe jemi në pritje, datë nuk kemi. Uroj që presidentja t’i shohë palët të barabarta. Po urojmë edhe te zoti që ajo të kontribuojë që dialogu i mirëfilltë të fillojë dhe kemi shpresa edhe te ajo që do të bëjë ndonjë hap pozitiv”, ka thënë Jasharaj pas takimit që kishte me kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhikun.
Ky i fundit ka thënë se ndalja e pagave për punëtorët që janë në grevë është e papranueshme dhe joligjore.

Sipas tij, është shqetësuese situata e krijuar pas grevës së shpallur në të gjitha nivelet në arsim.“Kam dëgjuar kërkesat e tyre dhe kam shprehur shqetësimin tonë mbi këtë grevë dhe konsiderojmë se duhet të ketë një dialog ndërmjet Qeverisë dhe BSPK është imperiativ, pra është bazë e funksionimit shoqëror të Kosovës dhe kemi nevojë për dialog që fëmijët tanë të kthehen në shkollë”, tha Abdixhiku.

Presidentja Osmani ka bërë thirrje të enjten mbrëma që të ndërpritet greva dhe t’i hapet rrugë dialogut.

“Çdo 1 shtator kemi uruar nxënësit e mësimdhënësit tanë për një vit shkollor të mbarë. Sot në vend të urimit, duhet të dërgojmë mesazh reflektimi, shkaku i grevës dhe mos fillimit të procesit mësimor, duke ftuar palët e përfshira në këtë çështje që bojkotin e procesit mësimor ta zëvendësojnë me dialog”, ka shkruar fillimisht Osmani.

Sipas Osmanit, Arsimi është i shenjtë, sepse është çelës për të ardhme të ndritur të shoqërisë dhe shtetit tonë.

Ndryshe, në grevë nga 25 gushti janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshte publike, punëtorë të administratës publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës./Insajderi.com