Jasharaj: Situata me COVID-19 në shkolla nuk është shumë alarmante

Jasharaj: Situata me COVID-19 në shkolla nuk është shumë alarmante

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, po vlerëson se situata me COVID-19 në shkollat e Kosovës “nuk është shumë alarmante”, pavarësisht se në 19 komuna të vendit janë raportuar 54 mësimdhënës të infektuar e 22 nxënës.

“Situata për momentin, nuk është shumë alarmante dhe është në suaza të mundshme edhe pse gradualisht numri po vjen e po shtohet. Frika jonë është se lajme po na vijnë edhe nga Evropa e shtetet përreth për një kthim të COVID-19 dhe shtim të numrit të të prekurve, në përgjithësi te popullata. Kjo na bën të frikësohemi e urojmë të mos vije te ne. Ajo që mund të themi është se aty ku kemi prekje me COVID-19 qoftë te nxënësit qoftë te mësimdhënësit Task-Forcat po marrin forca të menjëhershme dhe klasa, apo eventualisht ndonjë shkollë me numër më të madh të të infektuarve po ndërpritet shkolla, por jo mësimi, ai po vazhdon në formën nga larg”, ka deklaruar ai në Interaktiv, transmeton Insajderi.

Ditëve të fundit është regjistruar një rritje e rasteve pozitive në vend. Të enjten, në Kosovë janë regjistruar 77 raste të reja pozitive duke e çuar totalin në 16502. Aktualisht numri i rasteve aktive është 1333, ndërsa 650 persona kanë humbur betejën me COVID-19.

Ndërsa hapja e shkollave llogaritet si arsyeja kryesore e rritjes së numrave të Covid 19, ndërsa kryeministrit, Avdulah Hoti, ka paralajmëruar masa të reja, duke përfshirë izolimin, nëse kjo gjendje vazhdon edhe në tri javët e ardhshme./Insajderi.com.