Jasharaj: Të përpiqemi që më 14 shtator të fillojë viti i ri shkollor

Jasharaj: Të përpiqemi që më 14 shtator të fillojë viti i ri shkollor

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahaman Jasharaj, duke komentuar vendimin për shtyerjen e vitit të ri shkollor 2020/2021, ka thënë se askush nuk duhet të ndihet humbës apo fitues, njofton Insajderi.

Ai ka theksuar se mësimi nuk është shtyrë vetëm në Kosovë por edhe në vendet e rajonit, për shkak të pandemisë COVID-19.

Kreu u SBASHK-ut theksoi se aktualisht për shumë shkolla nuk ka dezinfektues e as nuk janë përgatitur klasat për mbajtjen e distancës.

“Deri më sot nuk është siguruar në shumë shkolla dezinfektues. Nuk janë përgatitur klasat për respektim të distancës sociale”, u shpreh ai në Debat Plus.

Jasharaj thotë se nëse këto dy javë punohet si duhet nga të gjithë së bashku gjendja për kthim në shkolla do të jetë më e mirë.

“Të gjithë të bëjmë përpjekje që me 14 shtator të fillojë viti i ri shkollor, por të fillojë më mirë se tani”, tha ndër të tjera ai, duke shtuar se shtyerja ka ndodhur me shpresë që do të përmirësohet gjendja me Coronavirusin. /Insajderi.com