Jashari për pozitën e presidentit: Vetëm populli mund të bëjë një propozim të tillë

Jashari për pozitën e presidentit: Vetëm populli mund të bëjë një propozim të tillë

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka komentuar lidhur me zhvillimet politike në vend, për çka thotë se duhet të bëhen bashkë pozitë e opozitë kur janë në pyetje temat nacionale e sidomos dialogu me Serbinë, njofton Insajderi.

“Zhvillimet politike janë jo të kënaqshme dhe besoj që është dashur na si shtet me qenë shumë më kompakt e sidomos kur kemi tema nacionale. Mendoj  që sa më shumë që vonohemi vetëm do të shkaktojmë dëm te ne të gjithë. Sepse duhet të bëhen bashkë pozitë e opozitë sepse janë në pyetje temat nacionale dhe bisedimet me Serbinë”, ka thënë ai për EO.

Derisa diskutoi për pozitën e presidentit dhe mundësinë që nga kjo familje të ketë një kandidatë për këtë pozitë, ai tha se familja Jashari asnjëherë s’ka kërkuar pozita.

Sipas tij, vetëm populli mund ta bëjnë një propozim të tillë.

“Janë qytetarët dhe populli që mund ta bëjnë një propozim të tillë siç ka ndodhur edhe në rastin tim për kryetar komune, sepse nuk është që dikush nga ne dëshiron të ketë pozita të tilla. Pas kërkesës së qytetarëve e kam analizuar dhe e kam vlerësuar që po duhet t’i përgjigjem kësaj kërkese sepse ia kemi borxh dhe obligim me ndërtuar dhe zhvillu këtë vend”, ka shtuar Jashari. /Insajderi.com