Jashari për zgjedhjet lokale: PDK dhe LVV u bënë bashkë për të heshtur para manipulimeve

Jashari për zgjedhjet lokale: PDK dhe LVV u bënë bashkë për të heshtur para manipulimeve

Kandidati i pavarur për kryetar të Skënderajt, Bekim Jashari, tha se Lëvizja Vetëvendosje në këtë komunë është bërë bashkë me Partinë Demokratike të Kosovës për të heshtur lidhur me manipulimet në procesin zgjedhor, përcjell Insajderi.com.

Përmes një postimi në Facebook, Jashari i ka reaguar kryetarit të LVV-së në Skënderaj, Hysni Mehani, ku ky i fundit tha se kjo komunë duhet të shkojë në rivotim.

Postimi i kryetarit të LVV-së në Skënderaj.

Sipas Jasharit, kjo deklaratë e tij është e porositur për t’i identifikuar ata si të afërt me LVV-në, “siç ishte dhe vendimi për mos kandidim të tyre për kryetar të Skenderajt, pasivizimi i tyre në fushatë dhe heshtja e tyre para keqpërdorimeve në ditën e votimit”.

“Kështu me veprimet e tij të ulëta ai iu mundësoj kundërshtarëve tonë politik që gjatë tërë fushatës parazgjedhore të propagandojnë kinse Bekimi është me VV-në, pasi që VV-ja nuk i vuri kundërkandidat. Kjo ishte propaganda që më së shumti përdoren ata që nuk e kishin as edhe një fakt të vetëm pse nuk duhet votuar Bekim Jashari, nuk e kishin as edhe një dëshmi kundër qeverisjes sime me duar të pastra”, shkroi ndër tjerash ai.

Tutje, Jashari akuzoi PDK-në dhe LVV-në se kanë bërë marrëveshje me serbët në disa fshatra për blerjen e votave të tyre, si dhe për kërcenimet e shantazhet ndaj kommisionerëve të cilët ishin në përkrahje të tij.

“Ata që përveç propagandave të ulët kundër meje, bënë marrëveshje me serbet e Bajës dhe Syriganës, të cilët i votuan me shumicë, ata që blenë votat e qytetarëve me para, kërcënuan e shantazhuan mbështetësit tonë, ata që blenë komisionerët, vëzhguesit si dhe ata që përdoren trenin bullgar për të përmbysur rezultatin”, shkroi ndër tjerash ai.

Ndryshe, të dielën, më 17 tetor, në Kosovë janë mbajtur zgjedhjet lokale, ku sipas rezultateve të Komisionit Qendror Zgjedhor, fitues në Skënderaj është Fadil Nura nga PDK.

Sipas rezultateve, Nura ka marrë 57.99 për qind të votave, i pasuar nga Bekim Jashari i cili mori 40.64 për qind të votave, dhe i fundit, kandidati i pavarur, Sokol Halili me 1.37 për qind./Insajderi.com