Jep dorëheqje zyrtari i Agjencisë së Akreditimit  

Jep dorëheqje zyrtari i Agjencisë së Akreditimit  

Zyrtari i vetëm i Agjencisë së Akreditimit Elmi Kelemdni ka dhënë dorëheqje. Ka thënë se është larguar për shkak të problemeve shëndetësore. Mirëpo, në këtë agjenci, vazhdon të mbetet i pazgjidhur një problem mes Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe Komisionit të Ankesave. Këta të fundit jashtëligjshëm kishin rrëzuar vendimet e KSCHC’së. Rasti ka kaluar te organet e hetuesisë.

Elmi Klemendi ka dhënë dorëheqje nga pozita e zyrtarit ligjor në Agjencinë e Akreditimit institucion ky që merret me licencimin e gjithë universiteteve publike e private.

Me largimin e tij, Agjencia ka mbetur pa asnjë zyrtar ligjor. Rrjedhimisht, asnjë vendim i Këshillit Shtetëror të Cilësisë s’mund të hartohet derisa të mos bëhet plotësimi i këtij vendi të punës.

Zyrtari i dorëhequr ka thënë për Gazetën Express se është larguar nga Agjencia për shkaqe shëndetësore. Ka refuzuar të pranojë se ndonjë problem tjetër e ka detyruar të largohet nga institucioni që akrediton dhe mbikëqyrë arsimin e lartë privat dhe publik në Kosovë.

“A është shumë me rëndësi a? Unë kam problem që 9 vjet me shëndetin, i kam tri operacione edhe me e kam shty me zor këto vjet. I kam tri operacione deri tash, i kam 100  telashe shëndetësore. Arsye personale shëndetësore, unë mezi kam nejt me orar të punës prej telasheve. Jo s’kam lidhje me asnjë raport, por vetëm për shkaqe të mia shëndetësore dhe të prindërve që i kam me operacione gati çdo vjet”, ka thënë Kelmendi.