Jeta mes varfërisë dhe luksit – statistikat e paradokseve në familjet kosovare

Disa të dhëna të Agjencisë së Statistikave të Kosovës mbi ekonomitë familjare nxjerrë në pah një paradoks të të jetuarit në Kosovë. Për shembull 22 për qind e ekonomive familjare kanë nga 5 telefona celular por më shumë se gjysma e ekonomive familjare në Kosovë gjatë vitit 2016 kanë deklaruar se nuk kanë qenë në gjendje të përballojnë një shpenzim të papritur prej 500 € përmes burimeve vetanake.

Jeta mes varfërisë dhe luksit – statistikat e paradokseve në familjet kosovare

Gjatë vitit 2016, 50 për qind ekonomive familjare nuk ka mundur të mbajë shtëpinë apo banesën të ngrohtë në mënyrë adekuate.

Pothuajse gjysma e ekonomive familjare në Kosovë në vitin 2016, nuk kanë qenë në gjendje të përballojnë të ushqyerit çdo të dytën ditë shujtën me mish, pula, peshq apo ushqim vegjetarian.

Ndërsa 45 për qind e ekonomive familjare dy herë ose më shumë gjatë vitit nuk kanë qenë në gjendje të paguajnë në kohë pagesat e tyre, 55 për qind të ekonomive familjare kanë përballuar me vështirësi të mëdha një shpenzim të papritur në vlerë të 500 € përmes burimeve vetanake.

Vetëm 11 për qind e familjeve kosovare posedojnë sistem të ngrohjes qendrore, por lidhje interneti posedojnë 77 për qind të familjeve kosovare ndërsa kompjuter apo lloptop posedojnë 74 për qind e tyre.

Të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për vitin 2016 nxjerrin në pah faktin se kosovarët jetojnë mes varfërisë e cila lidhet direkt me kërkesat për të jetuar një jetë modeste dhe posedimit të gjërave luksoze sikurse telefonat celular.

Ekonomitë familjare sipas të dhënave të ASK-së, shpesh nuk janë në gjendje të paguajnë në kohë pagesat siç janë qiraja, kreditë, tatimet, shpenzimet komunale – faturat, mirëmbajtje të rregullta etj.

“Gjatë vitit 2015, 43 për qind e ekonomive familjare dy herë ose më shumë nuk kanë mundur të përballojnë pagesat, ndërsa në vitin 2016 është vërejtur një rritje prej 5 për qind. Te ekonomitë familjare që një here nuk kanë mundur të përballojnë pagesat është vërejtur rënie prej 37 për qind në vitin 2016, në krahasim me vitin 2015”, thuhet në raportin e ASK-së.

Sipas të dhënave të dala nga ky raport, është vërejtur se ekonomitë familjare në shumë raste të përdorin kuzhinën si njërën prej dhomave për shkak të kushteve jo të mira (standardeve).

Në vitin 2016 rrogat nga sektori privat dhe publik kanë qenë burimi më i rëndësishëm i të hyrave në Kosovë për rreth 50 për qind të ekonomive familjare.

Burime tjera të rëndësishme janë pensionet dhe bizneset e ekonomive familjare. Paratë e dërguara nga jashtë (remitencat) janë shumë të vlefshme për ekonomitë familjare në Kosovë ku 8 për qind e tyre të hyrat nga jashtë i kanë burim kryesor.

Por në anën tjetër, përpos posedimit të telefonave celularë, shpenzimet për komunikim në vitin 2016 kanë qenë 220 € dhe kanë marrë pjesë në ndarjen e buxhetit të përgjithshëm të ekonomisë familjare me 3 për qind. Gjatë viteve 2014-2016 në të gjitha grupet vërehet një rritje e këtyre shpenzimeve, thuhet në dokumentin “Rezultatet e Anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare 2016”./Insajderi.com