Jo Albin Kurti, por Visar Ymeri ishte kryetari i pazakonshëm i Vetëvendosjes

Jo Albin Kurti, por Visar Ymeri ishte kryetari i pazakonshëm i Vetëvendosjes

Visar Ymeri kishte marrë postin e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet që ishin mbajtur në mars të vitit 2015.

Pa asnjë kundërkandidat, pro zgjedhjes së tij votuan 96,42 për qind të votave. Vetëm 1.88 për qind votuan kundër, 1 për qind abstenuan dhe 0.7 të votave u shpallën të pavlefshme.

Por kjo shumicë gati absolute e votave nuk i dha fuqi të njëjtë Ymerit në krye të partisë. Ai për tri vjet sa qëndroi në krye të partisë nuk arriti të  krijonte fuqinë e tij si kryetar, e as të bëhej figura kryesore në parti dhe të fitonte mbështetjen tek aktivistët si një lider që mund ta zëvendësonte Kurtin.

Albin Kurti vendosi të mos kandidojë për kryetar të partisë duke thënë se “nga menaxhimi prej lart duhet të kthehet te puna poshtë në mënyrë që ta lartësojë organizimin” e në këtë mënyrë të tentojë ta “zvogëlojë aspektin  reprezentativ për ta rritur atë organizativ”.

Unë s’kam qenë asnjëherë kryetar i zakonshëm. Dhe, tash, s’mund të jem zakonshëm kryetar”, thoshte Kurti në letrën dërguar aktivistëve në janar të atij viti, dy muaj para se Ymeri të zgjidhej kryetar.

Por teksa Kurti ia lëshoi rendin Ymerit, duke e cilësuar vetëm si kryetar aspak të pazakonshëm dhe duke u angazhuar të punonte “nga lart poshtë”, vet Ymeri nuk arriti të bëhej një kryetar i zakonshëm i Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai më shumë u bë një zëvendësues i Kurtit në drejtimin e partisë sesa një drejtues i partisë për të çka edhe u votua.

Ymeri mbeste në hije sa herë në skenë si kryeprotagonist dilte Albin Kurti. I gjendur në një pozitë të tillë që nuk e linte të kapërcente postin dhe të bëhej një lider, ai shpeshherë u detyrua  që të bëhej një mbështetës i asaj që thoshte Kurti.

Ymeri edhe pse vazhdoi të angazhohej si kryetar i partisë, për cështje të mëdha sikurse në shtator të vitit 2016, kur Kurti nga Tirana paralajmëronte luftë për demarkacionin me Malin e Zi. Ymeri ishte quar në mbrojtje të Kurtit duke u pajtuar me të.

Visar Ymeri përkrah deklaratën e Kurtit rreth gjasave për luftë

” Lëvizja e kufirit shpeshherë ka dërguar tek lufta, dhe këtë nuk e themi ne por e thonë faktet, prandaj po themi se ka mundësi lufte”, thoshte Ymeri.

Derisa tri ditë para kësaj deklarate ish-lideri i VV-së, Albin Kurti ka shfrytëzuar një takim në kryeqytetin shqiptar, për të dhënë parashikimin e tij se nëse situata e njëjtë e demarkacionit me Malin e Zi vazhdon, në Kosovë mund të ketë luftë.

Por Ymeri nuk e mori asnjëherë rolin e kryetarit as në kohën kur Lëvizja Vetëvendosje kishte dalë me Albin Kurtin si të nominuar për kryeministër.

Unë e kam propozuar Albin Kurtin që të jetë kandidat për kryeministër, sepse mendoj se Vetëvendosje edhe në këtë garë garon me kandidatin më të mirë për kryeministër, jo vetëm brenda Vetëvendosjes, por në gjithë spektrin politik”, pohonte Ymeri.

Madje Ymeri kishte paralajmëruar dorëheqje në rast se Albin Kurti dështon të bëhet kryeministër.

“Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje i bjen përgjegjësia për këtë betejë elektorale, nga nominimi i kandidatit për kryeministër, tek lista e deputetëve dhe dizajnimi i fushatës zgjedhore. Përgjegjësia është e imja. I jepet organeve të Vetëvendosjes, e pastaj anëtarësisë, që më ka zgjedhur”, thoshte ai.

Ymeri nuk u bë kryetar i zakonshëm as nëpër takimet e Kurtit me ambasadorë të ndryshëm, në kohën sa ishte ende kandidat për kryeministër, por pas zgjedhjeve, që VV nuk doli fitimtare karshi koalicionin PDK-AAK-NISMA.

Kryetari Visar Ymeri e “asiston” Kurtin nëpër takime zyrtare

Ajo që bie në sy në fotografinë e bashkangjitur kumtesës, nga takimi i Kurtit dhe Ymerit me ambasadorin italian Piero Cristoforo Sardi, shihej se deputeti Albin Kurti ka zënë vendin kryesor sipas protokollit, përkrah ambasadorit, derisa kryetari Visar Ymeri shihet vetëm si “asisent” i Kurtit./Insajderi.com