John Boyd shpallet “Qytetar Nderi i Deçanit”

John Boyd shpallet “Qytetar Nderi i Deçanit”

Kuvendi i Komunal i Deçanit në mbledhjen e mbajtur sot, me propozimin e kryetarit të kësaj komune Bashkim Ramosaj, me përkrahjen e të gjitha partive mori vendim që të shpallë gjeneral brigade të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John C. Boyd “Qytetar Nderi i Komunës së Deçanit”.

Ky nderim, ushtarakut amerikan iu bë në shenjë mirënjohje për kontributin e dhënë në luftën e Kosovës, mbështetjen dhe fuqizimin e shtetësisë së saj dhe përkrahjen e Kosovës në integrimet euroatlantike.

Dorëzimi i këtij vendimi, gjeneralit amerikan iu bë në një ceremoni të veçantë ku morën pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, si dhe përfaqësues të tjerë nga qeveria qendrore e lokale si dhe FSK-ja.

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, përmes gjeneralit Boyd, shprehu mirënjohjen për të gjithë ushtarakët e SHBA-ve dhe NATO-s, të cilët sipas tij, promovojnë paqen dhe garantojnë sigurinë botërore.

Duke kujtuar problemet e paraluftës dhe pasojat pas saj, Ramosaj tha se Deçani po mundohet të tejkalojë vështirësitë në të cilat ka hasur në të kaluarën dhe të ketë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik bazuar në resurset e kësaj komune.

“I nderuar gjeneral, komuna jonë dhe qyteti yt tashmë, që nga themelimi ka pasur një ecje të vështirë përgjatë sistemeve të kaluara, si paraluftës ashtu edhe pas çlirimit, duke iu pamundësuar që të ketë konceptin e vet të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm. Në kohën e fundit, jemi të fokusuar si në nivelin lokal ashtu edhe qendror me përkushtim të përbashkët t’i japim zgjidhje konceptit zhvillimor që për ne është parësor që të jetojmë në një standard më të lartë duke shfrytëzuar resurset dhe potencialin që komuna jonë ka”, delaroi Ramosaj.

Pas pranimit të dekorimit si “Qytetar Nderi i Deçanit”, gjenerali amerikan, John Boyd, u shpreh shumë falënderues, duke thënë se nuk do të harrojë asnjëherë këtë ditë, që sipas tij, i jep një vule miqësie të përjetshme me Deçanin.

Gjenerali, duke përmendur angazhimin e fundit së bashku me zjarrfikësit e këtij qyteti, tha se KFOR-i ka një bashkëpunim të shkëlqyer me institucionet lokale për të garantuar sigurinë për të gjithë qytetarët. Ai mbështeti fjalën e Ramosajt, kur tha se Deçani duhet të përqendrohet në zhvillim ekonomik në mënyrë që të rinjtë të mos të largohen nga vendi.

“E çmoj shumë qëndrimin tuaj për t’u fokusuar në zhvillimin ekonomik sepse aty duhet të përqendroheni ju dhe qeveria qendrore në mënyrë që të krijohet mundësia që të shfrytëzohen potencialet e këtij vendi dhe të rinjtë të ecin përpara në vendin e tyre”, u shpreh gjenerali Boyd.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se vendimi për të shpallur gjeneralin Boyd qytetar nderi është një vendim i qëlluar dhe fisnik i Komunës së Deçanit.

Duke folur për miqësinë mes Kosovës dhe SHBA-ve, që është edhe vendlindja e gjeneralit të dekoruar, Haradinaj tha se populli duhet të luaje pjesën e tij për të ruajtur këtë miqësi e që sipas tij, këtë e bëjmë duke respektuar komunitetet pakicë që jetojnë në Kosovë.

“Një mënyrë për të shpërblyer përkrahjen e madhe që Amerika i ka dhënë Kosovës është që të qeverisim mirë, të krijojmë vendet e punës, por një tjetër mënyrë është që të respektojmë komunitetet e tjera etnike që jetojnë në Kosovë, duke filluar nga serbët, turqit, romët, ashkalinjtë, boshnjakët, goranët, egjiptas dhe kushdo që jeton në vendin tonë. Të respektojmë vlerat dhe diversitetin fetar dhe të sillemi si një zot shtëpie që di të nderojë shtëpinë e tij se kështu edhe miku ndihet i nderuar. Jam i bindur se nuk do t’i zhgënjejmë miqtë tanë me punët që do t’i kryejmë në Kosovë”, tha Haradinaj.

Shefi ekzekutivit kosovar tha se populli i Kosovës e ka vendosur të jetë përkrah SHBA-ve dhe vlerave që përfaqëson Uashingtoni.