Josa i kënaqur me fitoren, flet edhe për titullin kampion

Josa i kënaqur me fitoren, flet edhe për titullin kampion

Prishtinës së Mirel Josës i mjafton vetëm një gol për të mbyllur në tjetër ndeshje me rezultat 1-0.

Kryeqytetasit triumfuan minimalisht ndaj Gjilanit në udhëtim.

Tekniku i kësaj skuadre, Mirel Josa ka mbetur i kënaqur me impenjimin e futbollistëve të tij, derisa vuri në pah vështirësitë që kishte përballë një skuadre të fortë siç është ajo e Gjilanit.

“E dinim se do të jetë një ndeshje e vështirë duke parë ndeshjet e mira që ka bërë Gjilani në ndeshjet e fundit, pavarësisht mungesave që kishte. Këmbëngulëm, madje duke humbur edhe disa herë ekuilibrat. Kur rrezikon dihet se humbet disa ekuilibra, por ky rrezikim solli deri te fitorja”, deklaroi Josa për ‘Super Sport Kosova’.

Josa komentoi gjithashtu edhe fitoret e fundit të arritura të ekipit të tij, teksa theksoi se rëndësi në fund kanë vetëm pikët.

“Fitorja është fitore, pa marrë parasysh në cilën minutë ajo arrihet, pasi jo të gjitha ndeshjet mund ti fitosh në pjesën e parë. Ndeshja luhet 90 minuta dhe futbollistët treguan këmbëngulësi për ta fituar ndeshjen. Gjilani na vështirësoi punët me mbylljen e zonave dhe ruajtjen e ekuilibrave, madje u mundua të na befasojë, por që ne bëmë mirë këtë detyrë. Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme, sikurse edhe ajo me KEK-un që u fitua me vështirësi, por në fund kanë vlerë vetëm pikët, pasi ato na ndihmojnë të arrijmë objektivin që ne kemi (titullin kampion)”, mbylli tekniku i Prishtinës.

Fitorja e Prishtinës në ndaj Gjilanit në udhëtim (0-1), i ka mundësuar ekipit të Mirel Josës që të marrë kreun e klasifikimit të paktën për 24 orë, derisa Feronikeli të zhvillojë ndeshjen e javës së 28-të përballë KEK-ut në “Agron Rama” të Obiliqit./Insporti