Josep Borrell: Nga palët negociuese pres diskutime konstruktive

Josep Borrell: Nga palët negociuese pres diskutime konstruktive

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se  pret një qasje pragmatike dhe frymë kompromisi në takimin e sotshëm mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të ndihmuar nga BE-ja, njofton Insajderi.

Ai thotë se është i kënaqur qe BE-ja është rikthyer ta udhëheq dialogun dhe së pret nga palët një fryme konstruktive që do të çojë në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Jam shumë i lumtur që po ju drejtohem vetëm katër ditë pas takimit të nivelit të lartë Prishtinë-Beograd. Takimi i së dielës ishte i pari pas një pushimi prej 20 muajve. Një kohë e gjatë. Jam i lumtur që po shoh se BE-ja është kthyer në udhëheqje të procesit. Presidenti i Serbisë dhe kryeministri i Kosovës janë sot këtu me ne në Bruksel për takimin e parë me prani fizike. Duke u takuar për herë të dytë brenda javës, dy liderët tregojnë përkushtimin e tyre ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Këtë e mirëpres jashtë mase. Sot pres një takim konstruktiv, si elementi i parë i bisedimeve, që do të kontribuojë në normalizimin gjithëpërfshirës mes Kosovës dhe Serbisë. I inkurajoj të dyja palët që t’u qasen bisedimeve të sotme në frymën e kompromisit dhe pragmatizmit, dhe me mendjen tek e ardhmja evropiane për popujt e tyre”.

Takimi i sotshëm  në Bruksel është i pari prej se dialogu ishte ndërprerë para 20 muajve./Insajderi.com