Joshua merr një goditje të papritur nga Wilderi

Joshua merr një goditje të papritur nga Wilderi

Boksieri Deontay Wilder, kampion bote në peshën e rëndë në kategorinë WBC, në një intervistë për ESPN ka analizuar sfidën mes Anthony Joshua dhe Andy Ruiz Jr, zhvilluar pak ditë më parë në Arabinë Saudite.

Britaniku e fitoi këtë sfidë me vendim unanim, duke rimarrë titujt kampionë bote.

“Mua nuk më pëlqeu aspak mënyra se si Joshua ishte përgatitur për këtë sfidë dhe mënyra se si veproi në ring. Joshua, një boksier shumë më i gjatë se Ruiz, që vraponte dhe evitonte kontaktin me rivalin, pasi dukej sikur kishte frikë nga ai”, tha Wilder.

“Nuk e kuptova se përse Joshua i largohej kontaktit me Ruiz, ndaj një boksieri më të shkurtër dhe trashaluq, që mezi lëvizte në ring. Dukej qartë që Joshua kishte frikë dhe përdori stilin e Klitschko, një stil i mërzitshëm boksimi, sidomos për një kampion bote”, u shpreh Wilder.