Ka dy javë që nuk mbahen provimet për patentë shofer – Ekzaminerët pa kontrata pune

Xheneta Uka

Ka dy javë që nuk mbahen provimet për patentë shofer – Ekzaminerët pa kontrata pune

Tash e dy javë nuk po mbahen provimet për patentë shoferë në Qendrën e Patentë Shoferit në Prishtinë. Kjo për shkak se ekzaminerët nuk kanë kontrata pune.

Kandidatët të cilët kanë aplikuar të futen në provim teorik dhe praktik për patentë shofer edhe sot nuk kanë pasur mundësi t’i nënshtrohen këtij provimi. Ky problem po vazhdon tash e dy javë, shkruan Insajderi.

Arsyeja pse tash e dy javë nuk janë mbajtur provimet, sipas Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit është skadimi i kontratave të ekzaminerëve.

“Me skadimin e vendimeve të ekzaminerëve, ky ligj që në fuqi hyri me 11 shtator 2019, ka shfaqur paqartësi që kërkojnë analizë ligjore drejt vazhdimit të angazhimit të tyre. Me këtë rast, departamentet përkatëse të MIT janë angazhuar për gjetjen e zgjidhjes të kësaj situate, gjithnjë të bazuar në ligj”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Sipas kësaj ministrie është duke u punuar në zgjidhjen e këtij problemi.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ju informon se aktualisht është duke punuar në zgjidhjen e çështjes së mbajtjes së testimit praktik për patentë shofer, pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Zyrtarët Publik me numër 06/L-114”, thuhet në përgjigje.

Kaosi në këtë qendër ka ardhur pas hyrjes në fuqi të Ligjit për zyrtarët publikë, më 11 shtator. /Insajderi.com