fbpx

Ka filluar mandati i dytë i Maduros, SHBA kërcënon me presion më të ashpër

Kryetari i Venezuelës Nicolas Maduro e ka dhënë betimin para Gjykatës Supreme të këtij vendi, me çka edhe zyrtarisht ka filluar mandati i tij i dytë gjashtëvjeçar.

Ka filluar mandati i dytë i Maduros, SHBA kërcënon me presion më të ashpër

Edhe pse shumë shtete të Amerikës Latine e kanë kontestuar fitoren e tij në zgjedhjet e mbajtura në maj të vitit të kaluar, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vënë sanksione për disa nga bashkëpunëtorët më të afërt të Maduros, zyrtarisht është kumtuar se në ceremoninë e sotme kanë marrë pjesë përfaqësuesit e 94 shteteve.

Në mes tyre kanë qenë edhe kryetarët e Kubës, Bolivisë dhe Nikaraguas Miguel Diaz Canel, Evo Morales dhe Daniel Ortega, si dhe kryetari i Republikës së vetëshpallur së Osetisë Jugore Anatloj Bibilov, ka transmetuar AP.

Televizioni shtetëror ka transmetuar ceremoninë e dhënies së betimit, në të cilën kanë marrë pjesë disa qindra njerëz, të cilët e kanë pritur Maduron me ovacione.

Maduro ka filluar mandatin e dytë presidencial në kohën e presionit të ashpërsuar të Uashingtonit, i cili përveç sanksioneve ndaj bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, i ka ndaluar edhe bankat amerikane të punojnë me Venezuelën, ndërsa sekretari shtetëror Mike Pompeo ka deklaruar se qeveria amerikane do ta ashpërsojë presionin, në mënyrë që ta përkrahë popullin në këtë shtet.

“Është koha që në Venezuelë të fillojë procesi i tranzicionit dhe me organizimin e zgjedhjeve fer të përtërihet rendi kushtetues dhe demokratik”, ka thënë Pomeo.

Edhe Bashkimi Evropian dhe Grupi i Limës, organizatë e cila i tubon vendet e Amerikës Latine dhe Kanadanë, kanë deklaruar se nuk do ta pranojnë Maduron. Uashingtoni tashmë ka paralajmëruar sanksione të reja financiare kundër personave fizik dhe juridik të Venezuelës./Insajderi.com.